Të dielën në mesditë, në sheshin “Skënderbeu” përballë Qeverisë, pankartat ishin më të shumta se zërat. “Albin Out”. “Keni dështu”. Dhe një e shkruar me dorë, që ngjante më shumë me rrëfim sesa me parullë: “Të ardhmen time nuk ta besoj, por unë nuk iki, do të rezistoj”.
As pesëdhjetë veta qëndronin atje dhe kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. Protesta ishte e shtyrë nga vështirësitë ekonomike. Por, pasi pamjet nga protesta morën malin, askush s’u mor më me arsyet. Në rrjete sociale, me përqeshje, filluan t’i numërojnë kokat.
Në pamje të parë, kjo ishte një tjetër protestë e dështuar. Përtej shakave të internetit, protesta ngre një pyetje shumë më interesante: Si është e mundur që në një shoqëri ku pakënaqësia ndaj qeverisjes është kaq evidente, mobilizimi kundër saj të jetë kaq i vogël?
Pakënaqësia ndaj gjendjes së rëndë ekonomike nuk është e shpikur. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga 2021-ta e deri më 2026-n, nga Kosova kanë ikur rreth 200 mijë njerëz. Kosova ka importuar mbi 1 miliard euro energji elektrike për 6 vjet. E ka pagën mesatare më të ulët në rajon. Papunësinë më të madhe. Inflacionin më të lartë…
Pse, pra, atëherë, këta mijëra të pakënaqur, mes tërë këtyre statistikave negative, nuk bëhen kurrë një “ne” në shesh? Një protestë është pikërisht kjo: kalimi nga “unë jam i pakënaqur” te “ne jemi të pakënaqur, dhe ja ku jemi”. Ngjan se ky kalim është shumë më i vështirë nga sa duket.
Në shkencat shoqërore theksohet një dallim themelor ndërmjet pakënaqësisë individuale dhe veprimit kolektiv. Fakti që shumë njerëz janë të pakënaqur me një gjendje politike nuk do të thotë se ata do të jenë domosdoshmërisht të gatshëm të ndërmarrin një veprim të përbashkët për ta ndryshuar atë.
Pse është kaq e vështirë?
Që një grup të mund të mblidhet qoftë edhe për të diskutuar një organizim të përbashkët, individët duhet të jenë në gjendje të thonë hapur preferencat e tyre. Hapi i parë është edhe problemi i parë.
Në një vend si Kosova, ku partia që kontrollon Qeverinë arkëton mes 40–50% të votave në disa palë zgjedhje të njëpasnjëshme – shprehja publike e dëshirës për rrëzimin e saj shoqërohet me një frikë nga gjykimi shoqëror. Kështu, vendimi kolektiv minohet nga ajo që në shkencat shoqërore definohet si “Falsifikimi i Preferencave”.
“Falsifikimi i Preferencave”, shpjegon politologu i mirënjohur Timur Kuran, “është akti i paraqitjes së rreme të dëshirave të dikujt, për shkak të presioneve shoqërore të perceptuara”.
Një shembull i thjeshtëzuar është t’i thuash “po” një filmi të propozuar dhe pranuar nga shumica e shokëve, edhe nëse ai nuk të pëlqen, sepse ke frikë nga reagimi i tyre e druhesh se edhe po të thuash se filmi nuk të pëlqen, zgjedhja nuk ndryshon.
Pragu, Problemi “Free Rider” dhe Pjesëmarrja Vendimtare
Kur protesta thirret, vendimi i individëve për të marrë pjesë ose jo bëhet problemi tjetër.
“Pragu”, që sipas Mark Granovetter është “përpjesëtimi i grupit që ai do të duhej të shihte në protestë, para se të bashkohej edhe vetë”. Pra, sa veta do të duhej të shihte dikush në mënyrë që ta shihte të arsyeshme t’i bashkohej protestës.
“Pragu i Pjesëmarrjes” i Durim Aliut, organizatorit të protestës së fundit, është zero. Ai është në gjendje të protestojë edhe nëse askush tjetër jo. Dikujt tjetër do t’i duheshin 100 të tjerë në shesh që ai ose ajo të bëhej i 101-ti. Një dallim i madh në vlerën e këtij pragu përbën kërcënim për protestë të suksesshme.
Ta zëmë se 100 qytetarë janë të pakënaqur me Qeverinë. Durim Aliu është i gatshëm të protestojë i vetëm, ndërsa 99 të tjerët do t’i bashkoheshin protestës vetëm nëse në shesh do të kishte të paktën 50 persona.
Rezultati? Durimi del në shesh, por 99 të tjerët qëndrojnë në shtëpi, duke pritur njëri-tjetrin. Ndonëse të gjithë janë të pakënaqur, protesta mbetet me vetëm një pjesëmarrës.
Veç vlerës së Pragut të Pjesëmarrjes, ekonomisti dhe politologu Mancur Olson, në librin e tij të vitit 1965, “The Logic of Collective Action”, hijezon edhe një sfidë tjetër. Problemi i “free rider”; i përfituesit që nuk kontribuon.
“Një përfitues pa kontribut është dikush që merr dobi nga një e mirë kolektive ose publike, pa kontribuar në koston e sigurimit të saj”, është definicioni i sociologes Pamela Oliver.
Thënë më thjesht, është si një banor i ndërtesës që dëshiron ta ketë ashensorin të pastër, por nuk pranon të kontribuojë për pastrimin e tij, me shpresën se shpenzimin do ta mbulojnë fqinjët. Në fund, ai gëzon të njëjtin përfitim si ata që paguajnë, por pa paguar vetë. Një qytetar i pakënaqur me Kurtin mund ta presë rrëzimin e tij nga të tjerët dhe kështu të përfitojë pa protestuar.
Në një studim të publikuar më 2013 në revistën shkencore Cognitive Science, studiuesi David Lagnado dhe bashkautorët e tij shpjegojnë se pjesëmarrja e një individi bëhet vendimtare vetëm kur numri i pjesëmarrësve të tjerë është saktësisht një më pak sesa numri i nevojshëm për arritjen e qëllimit.
Le të konsiderojmë se për të arritur rrëzimin e Qeverisë do të duheshin 10 mijë qytetarë. Nëse një qytetar beson se në protestë do të marrin pjesë 2000 qytetarë, ai do të vendosë të mos shkojë sepse prania e tij nuk përbën asgjë. Njëjtë ndodh edhe kur ai parasheh që në protestë do të jenë 15 mijë, pra prezencën e tij qytetari e percepton si të tepërt.
Qytetari, pra, kështu, zgjedh të marrë pjesë vetëm në një nga tre skenarët: kur parasheh se në protestë do të jenë 9 mijë e 999 persona dhe prania e tij do të përmbushë numrin 10 mijë. Kontributi i tij bëhet vendimtar pikërisht në kufirin ndërmjet suksesit dhe dështimit – terren vështirë i përcaktuar.
Pse ndonjëherë sheshet janë plot?
Shoqëria në Kosovë ka dëshmuar disa herë aftësi të jashtëzakonshme mobilizimi. Rrugët e Prishtinës jo rrallëherë janë mbushur me mijëra njerëz. Protestat masive pas vendimit skandaloz të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë një nga shembujt.
Një studim i botuar te revista Nationalities Papers (Cambridge) ka numëruar protestat në Kosovë nga viti 1999 deri në 2012. Sipas tij rreth dy të tretat e protestave lidheshin me sigurinë, drejtësinë tranzicionale, statusin politik dhe përfaqësimin e grupeve. Vetëm 11.3 për qind kishin në qendër kërkesat ekonomike, përfshirë vendet e punës, pagat dhe pensionet.
“Madhësia mesatare e demonstratave të organizuara rreth pakënaqësive etnike ishte 6.608 pjesëmarrës, ndërsa ky numër ishte 986 për protestat e mobilizuara rreth kërkesave për qeverisje të mirë dhe 731 për ato që përqendroheshin te drejtësia ekonomike”, thotë artikulli i Pëllum Kelmendit dhe Elton Skendajt.
Kosova shumë rrallë del të protestojë për temën rreth së cilës ishte thirrur protesta e së dielës. Dalja në protesta të tilla historikisht ka qenë e ulët krahasuar me tema të tjera. Kjo inerci mund të ketë qenë një tjetër arsye pse pati aq pak njerëz.
Protesta e së dielës mund të tregojë më shumë për shoqërinë e Kosovës sesa për pakënaqësinë e saj ndaj Qeverisë. Numri i vogël i pjesëmarrësve nuk dëshmon domosdoshmërisht mungesë pakënaqësie, ashtu si një shesh i mbushur nuk do të dëshmonte domosdoshmërisht se e gjithë shoqëria mendon njësoj.
Në rrjetet sociale, ishte e lehtë të përqesheshin ata pak njerëz që dolën në shesh. Më e vështirë është të kuptohet pse të tjerët nuk dolën. Dhe kjo është një pyetje që nuk merr përgjigje duke numëruar kokat në një fotografi.
Sepse, në fund të fundit, një shesh bosh nuk na tregon sa njerëz janë të pakënaqur, por vetëm sa prej tyre kanë vendosur ta shprehin pakënaqësinë publikisht. E, kështu mijëra vendime individuale, megjithatë, prodhuan një rezultat kolektiv. Asgjënë.









