Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka pushtetin, që të mos e kthejnë Policinë në përgjigje ndaj “dështimit” të tyre politik.

Këto komente, Rama i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që në protestën e së hënës, policia përdori dhunë ndaj protestuesve, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre.

Rama tha se sheshi është i njëjti, qytetarët po ashtu, por, sipas tij, VV-në e ka “shpërfaq pushteti”.

“Protestuesit janë veteranët tanë, fëmijët e tyre dhe qytetarët e Kosovës. Kërkojnë drejtësi dhe mbajnë me krenari emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi ai.

Pamjet duke i rrahur në shesh e duke u mjekuar në QKUK, Rama theksoi se “janë të dhimbshme”. “Pas secilës pamje është një njeri, një familje e shqetësuar, dikush që doli për të kërkuar drejtësi dhe përfundoi i shtrirë, i rrahur dhe i fyer nga policia e shteti i vet. Këto pamje kërkojnë shpjegim dhe përgjegjësi!”, pohoi ai.

Detyra e institucioneve, i pari kryeqytetit thotë se është “t’i mbrojnë qytetarët dhe të drejtën e tyre për protestë”. “Përgjegjësia individuale për një incident nuk mund të përdoret për ta delegjitimuar një protestë të tërë”.

“Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë”, konsideron ai.

Rama rikujtoi kur Albin Kurti si opozitar fliste për xhipat e zinj dhe u thoshte pushtetarëve të atëhershëm “pse po frikësoheni nga populli”. “Mbrëmë, ai dhe të gjithë deputetët e tij ikën nga ky popull me qata xhipa të zi!”.

“Albin Kurti dikur thoshte se sheshet janë të qytetarëve. Të qytetarëve janë edhe sot!”.

Rama i kërkoi Kurtit dhe VV-së të mos e kthejë policinë “në përgjigje ndaj dështimit tuaj politik”. “Merrni përgjegjësi dhe gjeni zgjidhje. Mandati juaj është për të qeverisur për popullin, jo për ta sulmuar atë me forcë!”.

“MOS E URDHËRONI POLICINË KUNDËR POPULLIT”, përfundoi Rama.