Një tokë bregdetare në zonën Pishë Poro-Nartë në Zvërnec të Shqipërisë, ditëve të fundit është kthyer në debatin kryesor publik të Tiranës dhe më gjerë.

Banorët e zonës së Zvërnecit, që nga e shtuna e 30 majit po protesojnë kundër punimeve për ndërtimin e një resorti miliardësh, duke ngritur shqetësime për dëmtim të ambientit dhe mos-marrëveshje mbi pronësinë e parcelës.

Protestat qytetare që filluan në Zvërnec janë transferuar edhe në kryeqytetin e Tiranës, ku shumë qytetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile u mblodhën para objektit të Qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Angazhimi i madh i mediave greke dhe i autoriteteve helene për t’i dhënë jehonë këtyre ngjarjeve ka ngritur dyshime serioze se shqetësimet qytetare burojnë në Athinë, nga ku kanë ardhur edhe reagime zyrtare për lëndimin e një qytetari me shtetësi të dyfishtë greko-shqiptare.

Kryeministri Rama fillimisht i cilësoi protestat si të pakuptimta dhe e mbrojti projektin për ndërtimin e resortit, duke e cilësuar si një nga më të rëndësishmit për turizmin shqiptar.

Zona në të cilën planifikohet të nisin punimet konsiderohet prej atyre me rëndësi të natyrore, duke qenë se e njëjta është strehë për habitate të rëndësishme të Shqipërisë, si zogj të ujit dhe migratorë.

Punimet janë rezultat i planeve të më hershme të Jared Kushner, dhëndër i Presidentit amerikan, Donald Trump dhe figurë me peshë politike në SHBA, i cili qysh në vitin 2024 ka deklaruar se dëshiron të investojë dhe ndërtojë në tokën shqiptare.

Krye-socialisti, Edi Rama, në një mbledhje të zgjeruar të Grupit të tij Parlamentar, tha se projekti në Zvërnces kap shifrën e 4 miliardë eurove dhe është një nga investimet e huaja që synon ta fusë Shqipërinë në “listën e kampionëve” turistik. Kjo, për rrjedhojë, sipas Ramës, e ka kthyer projektin në fjalë në një objekt sulmesh.

Rama i ka lidhur sulmet ndaj projektit edhe me agjenda të grupeve të ndryshme sulmuese që kanë hesape të papërfunduara me investitorët, të cilët janë të njohur.

“Bota e mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar atë, Jared Kushner, por bota ka hesape për të larë dhe luftërat e veta për të bërë, ndaj edhe projekti ka pasur interesimin e mediave amerikane dhe evropiane, por me agjendë, jo për të informuar për zhvillimin e Shqipërisë por për të gjetur ‘gjilpëra në kashtë’. Ndaj investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore, në arkitekturë, inxhinieri, mjedis, aspektin juridik, etj”, tha Rama.

Rama ka deklaruar se ai dhe Qeveria e tij kanë mbrojtur interesin kombëtar duke shtuar se projekte të mëhershme janë anuluar nga autoritetet shqiptare nën kërkesën e tyre për standarde më të larta.

Sulmet Rama i ka parë si politike dhe pasojë e “manipulimeve dhe të pavërtetave” rreth investimit.

“Keni parë që kanë ardhur investitorët dhe ajo zonja….[Ivanka Trump] nuk ka ardhur për pushime, por kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë të historisë, gjeodezisë, këtu në Shqipëri të cilët kanë folur për të gjitha aspektet, dhe aty një grup i madh njerëzish ka dëgjuar në mbajtur shënime”, tha Rama, duke iu referuar vajzës së presidentit amerikan, Donald Trump, e cila qëndroi në Shqipëri në janar të këtij viti.

Rama ka shtuar se draft-projekti i fundit që kanë pranuar në mars të këtij viti ka qenë “projekt tjetër, i rikonceptuar dhe me një qaje tjetër projektuese dhe zhvillimore”, duke potencuar se edhe ky projekt nuk është pranuar siç është paraqitur nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por janë vendosur kushte.

“Projekti do të zhvillohet vetëm në pronë private të regjistruar në tokë-shtet, laguna nuk preket, dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë, pasi ashtu ishte në dy versionet e paraqitura dhe hoqëm. Për marinën është kërkuar të bëhet më pas një projekt në konsultim me ekspertë, dhe pasi të jetë parë projekti në tërësi. Investitorët amerikanë më thanë se gjithçka do ta bëjnë sipas ligjit”, u shpreh Rama.

Protestat veç një debati publik brenda territorit shqiptar kanë prodhuar reagime edhe nga Athina zyrtare, një qytetar i secilës mbeti i lënduar në protestën e 30 majit afër tokës në fjalë.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ishte edhe një shtetas grek që u plagos”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Kryeministri Rama u kundërpërgjigj ndaj akuzave, duke sqaruar se dhuna mbi qytetarin në fjalë nuk ishte policore, por e një grupi rojesh private.

Rama është shprehur i shqetësuar me intervenimin ekstenziv të akterëve grekë në këto protesta, gjë të cilën edhe e ka komentuar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

“Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë. Gazetat greke që janë mbushur sot me kauzën tuaj, ka diçka këtu që nuk shkon, apo u gjet tradhtari, i korruptuar shitësi I atdheut, dhe ai është kryeministri juaj”, theksoi Rama.

Ndonëse sjelljen e Policisë dhe të rojave private gjatë protestës e quajti “të neveritshme”, Rama përshëndeti veprimet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare pas incidentit.

Policia e Vlorës arrestoi një punonjës të kompanisë private të sigurisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Skënder Hita, shkarkoi nga detyra drejtorin e Policisë së Vlorës, duke nisur edhe një hetim disiplinor për drejtues të tjetër të policisë në këtë qark.