Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ngritur shqetësimin e tij se në mesin e shqiptarëve ende ka të atillë që përçajnë kombin duke u shërbyer interesave ruso-serbe pa qenë në dijeni, gjatë fjalimit të tij në protestën e Tiranës.

“Ka akoma në mesin tonë ca që pavetëdijshëm u shërbejnë agjendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndër shqiptare dhe ndjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqëse pa qenë fare të vetëdijshëm që po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës”, deklaroi Ahmeti.

Tutje, i pari i BDI-së ka përshkruar aktakuzën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si riciklim i akuzave të mëparshme ndaj ushtarëve të UÇK-së.

“Sot të gjithë jemi dëshmitarë se aktakuza s’ka të bëj me trafikim organesh por është një riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Sot ata po gjykohen si çlirimtarë, si njerëz që e kanë kapur pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe popullin e vet nga gjenocidi serb”, deklaroi Ahmeti.

Para kësaj, Ahmeti përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit e veçanërisht ish presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun, i cili në moshë të shtyrë iu bashkua dhe iu adresua masës së pranishme në sheshin Skënderbe.

Ahmeti po ashtu përsëriti se pas protestave në Prishtinë e Tiranë, UÇK-ja do të zbarkojë edhe në Shkup.

“Dje në sheshin Skënderbe në Prishtinë, sot në sheshin Skënderbe në Tiranë, nesër në sheshin Skënderbe në Shkup”, tha Ahmeti.