Një djalë italian, që vdiq nga leukemia në vitin 2006, do të bëhet shenjtori i parë katolik i gjeneratës të mijëvjeçarit të dielën, në një ceremoni të udhëhequr nga Papa Luani i XIV në Sheshin e Shën Pjetrit, e cila pritet të mbledhë dhjetëra mijëra besimtarë.
Carlo Acutis, që vdiq në moshën 15 vjeçare, mësoi kodin e kompjuterit për të ndërtuar uebsajte për të shpërndarë besimin e tij. Historia e tij morri vëmendje të madhe mes rinisë katolike dhe ai tani do të ngritët në nivelin e njëjtë me Nënën Terezë dhe Françeskon e Asisit.
Ceremonia e së dielës fillimisht u planifikua për në prill por u shty pas vdekjes së Papa Françeskos. Papa Luani, i zgjedhur në maj për të zëvendësuar Françeskun, tani do të udhëheqë një eveniment të tillë për herë të parë.
Luani po ashtu do ta kanonizojë Pier Giorgio Frassatin, një italian të njohur për ndihmë ndaj nevojtarëve që vdiq nga polio në vitet 1920-të.
Nëna e Acutis, Antonia Salzano, i ka thënë Reuters më herët gjatë vitit se thirrja e zemrës së djalit të saj drejt rinisë katolike ka qenë se ai jetoi jetën e njëjtë si adoleshentët e tjerë në vitet 2000.
“Carlo ka qenë një fëmijë i zakonshëm si të tjerët. Ai luante, kishte shokë dhe shkonte në shkollë. Por cilësia e tij e jashtëzakonshme ka qenë fakti që ai i hapi dyert e zemrës së tij për Jezusin dhe e vendosi Jezusin në vendin e parë të jetës së tij.”
“Ai e përdori këtë aftësi për të shpërndarë lajmet e mira, Ungjillin”, shtoi ajo. “Ai deshi të ndihmonte njerëzit të kenë më shumë besim, të kuptojnë që ka një jetë pas vdekjes, që ne jemi pelegrinë ne këtë botë”.
Të bërit shenjtor nënkupton që Kisha beson se një person ka jetuar një jetë të shenjtë dhe tani është në parajsë me Zotin.
Shenjtorë të tjerë që kanë vdekur në moshë të re përfshijnë Terezën e Lisieuksit, që vdiq në moshën 24 vjeçare më 1897 dhe Aloysius Gonzaga që vdiq në moshën 23 vjeçare në vitin 1591.