Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se armëpushimi me Iranin ka “marrë fund”, gjatë një deklarate të jashtëzakonshme në samitin e NATO-s, vetëm pak orë pasi Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme të reja.

Presidenti amerikan tha se autoritetet iraniane janë “llum”, pasi Irani u kundërpërgjigj gjatë natës me sulme ndaj bazave amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, duke rrezikuar armëpushimin e brishtë të përkohshëm që ishte arritur mes palëve muajin e kaluar.

Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump tha se Irani udhëhiqet nga “njerëz të sëmurë”, duke shtuar: “Nuk dua të merrem më me ta.”

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka goditur më shumë se 60 mjete të vogla lundruese të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Washingtoni gjithashtu ka revokuar licencën që i lejonte Iranit të shiste naftë.

Mark Rutte i mbrojti sulmet, duke i cilësuar ato si “absolutisht të domosdoshme”, gjatë samitit në Ankara.

Më herët, mediat iraniane raportuan për shpërthime në qendrën kryesore të naftës në Ishullin Kharg, në Ishullin Qeshm, si dhe në qytetet jugore portuale Sirik dhe Bandar Abbas.