Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar pasi qytetarët janë mbledhur te hyrjet e Kuvendit të Kosovës dhe nuk po lejojnë deputetët të dalin nga aty pa e votuar Ligjin për Specialen në shqyrtim të dytë.

Ajo tha se “asnjë veprim i juaji nuk ka efekt te Vetëvendosja. Ne bëjmë çka besojmë”.

Sipas saj, ata që po “sulmojnë” jashtë Kuvendit janë pjesëtarë të PDK-së.

Postimi i Dejona Mihalit:

O ju anëtarë të PDK-së që po sulmoni sot, një pjesë me vepra penale, një pjesë në ndërmarrje publike të Prishtinës, një pjesë drejtorë komunalë të Prishtinës, sulmoni sa të doni drejtues të VETËVENDOSJE!-s. As nuk zgjidhni gjë, as nuk ia lehtësoni dikujt dënimin.

Dje sulmonit me policinë e instrumentalizuar, me Rashit Qalajt me shokë, sot me duart tuaja. Keq dje, keq sot. Ende nuk u mbushët mend.

Madje, aq keq ju ka lënë një krah i partisë suaj, saqë po paraqiteni komplet pa asnjë kuptim para krejt shqiptarëve.

Po sulmoni ata që e kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale. Ish-ushtarë të UÇK-së, ish-të burgosur politikë, aktivistë politikë që edhe më shumë se ju e kanë kundërshtuar këtë gjykatë.

Nuk po e dini që ju kanë gënjyer në 2015, po ju gënjejnë edhe tash. Prapë ata që i kanë milionat e juve, çdo herë veç ju kanë përdorur.

As atëherë nuk na dëgjuat, as tani nuk po dëgjoni.

Kështu, duke sulmuar kundërshtarët politikë pa asnjë arsye, veç sa po ua rëndoni atyre që u dënuan dhe, për më keq, po ia forconi tezën Prokurorisë Speciale.

Asnjë veprim i juaji nuk ka efekt te Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne bëjmë çka besojmë. E ne nuk i ndërrojmë besimet.

Jo gjykatës atëherë.

Jo dhe tani.