Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do të marrë pjesë në grupin punues, i formuar nga Qeveria e Kosovës për hartimin e një strategjie shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Apel.

“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozoj akademik, Kujtim Shalën. Nëse akademik, Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do jetë vetë Jehona Lushaku Sadriu”, ka thënë Abdixhiku për gazetarë të enjten.

Kur është pyetur se si e ka parë këtë iniciativë për formimin e këtij grupi punues, ai tha se “çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”.

Grupi Punues për mbështetjen e krerëve të UÇK-së në Apel u formua në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.

Këtë grup do ta udhëheqë Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca.

Ky veprim po ndodh pasi që Gjykata Speciale dënoi më 16 shtator me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18, dhe Rexhep Selimi me 13.