Reza Pahlavi ishte student në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1979, kur babai i tij, shahu i fundit i Iranit, u rrëzua nga pushteti. Ai kurrë nuk ka shkelur këmbë në Iran që atëherë, por mbështetësit e tij, monarkistët, nuk kanë ndaluar kurrë së besuari se një ditë “princi i kurorës” do të kthehet.
Ndërsa demonstratat kundër regjimit kanë mbushur rrugët e më shumë se 100 qyteteve të vendit me 90 milionë banorë, edhe përkundër një ndërprerje të plotë interneti dhe një shtypje të vazhdueshme, dita e kthimit të Pahlavit duket më afër se kurrë.
Emri i Pahlavit është në buzët e shumë protestuesve, që brohorasin se e duan shahun. Edhe kritikuesit e tij, të shumtë prej atyre që kundërshtojnë kthimin e monarkisë, tashmë thonë se Pahlavi mund të jetë figura e vetme me profilin e kërkuar për të mbikëqyrur tranzicionin.
Implikimet globale që fundi i Republikës Islamike dhe zëvendësimi i saj me një qeveri pro-perëndimore dhe demokratike do të ishin të thella, duke prekur çdo gjë; nga Gaza tek luftërat në Ukrainë dhe Jemen, e tek tregu i naftës.
Në tri intervista në 12 muajt e fundit. Në Londër, Paris dhe virtualisht, Pahlavi i ka treguar POLITICO se si Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, mund të rrëzohet nga pushteti. Ai ka treguar hapat e nevojshëm për përfundimin e diktaturës religjioze gati 50-vjeçare dhe ka konturuar planin e tij për tranizicion drejt një demokracie sekulare.
Asgjë nuk është e garantuar, as ekipi i Pahlavit nuk janë të sigurt se vala e tanishme e protestave do ta rrëzojë regjimin. Por nëse ndodh, ky është plani i Pahlavit për revolucion dhe udhërrëfyesi i tij për një të ardhme demokratike.
Kryengritje popullore
Pahlavi thotë se ndryshimi duhet të fillojë nga brenda Iranit dhe në intervistën e tij me POLITICO, shkurtin e kaluar, ai e ka bërë të qartë dëshirën që fuqitë e jashtme të fokusohen në mbështetjen e iranianëve për t’i dalë kundër sunduesve të tyre, para asaj për një intervenim ushtarak nga jashtë.
“Njerëzit veç se janë në rrugë pa ndihmë. Situata ekonomike është në një pikë, në të cilën valuta jonë po devalvohet, pagat nuk po ekzekutohen, njerëzit nuk mund të blejnë as një kilogram patate, e hiç më pak mish”, ka thënë ai. “Na duhen më shumë protesta dhe më të qëndrueshme”.
Pahlavi ka kërkuar vazhdimisht mbështetjen financiare të jashtme për punëtorët që do të prishnin rendin e shtetit duke shkuar në greva. Ai po ashtu ka bërë thirrje për më shumë terminale interneti të Starlink drejt Iranit, në kundërshtim me ndërprerjen e internetit, që ta bëjë më të vështirë për regjimin ndalimin e komunikimit dhe koordinimit mes disidentëve opozitarë. Në mesin e ndërprerjes së fundit të internetit, Starlink u ka dhënë lëvizjeve opozitare një linjë jetike interneti.
Ndërsa protestuesit morën hov javën e kaluar, Pahlavi rriti prezencën në rrjete sociale me foto dhe video, që marrin miliona shikime, e të cilat inkurajojnë popullin të dalin në rrugë. Ai filloi duke thirrur që protestat të fillojnë në ora 8 pasdite të kohës lokale, më pas u bëri thirrje protestuesve të fillojnë më herët dhe të okupojnë qendrat e qyteteve për më gjatë. Mbështetësit e tij thonë se këto thirrje po ndihmojnë në drejtimin e lëvizjes së protestave.

Forcat e sigurisë kanë shtypur brutalisht shumë nga këto tubime. Grupi norvegjez “Të Drejtat Iraniane” kanë vendosur numrin e të vdekurve në 648, ndërsa kanë vlerësuar se më shumë se 10 mijë persona janë arrestuar.
Është gati e pamundur të kuptohet nëse mesazhi i Pahlavi po depërton në vend, por pamje nga brenda Iranit sugjerojnë se fjalët e princit po tërheqin demonstruesit, me foto që po shfaqin praninë gjithnjë e në rritje të flamurit para-revolucionar me luan dhe diell dhe me turmat që po brohorasin “javid shah” – shahu i përjetshëm.
Dezertorët
Kuptueshëm, marrë parasysh historinë e familjes së tij, Pahlavi ka bërë një studim të revolucioneve dhe bazohet në kolapsimin e Bashkimit Sovjetik për të kuptuar se si mund të rrëzohet Republika Islamike. Në Rumani dhe Çekosllovaki, ka thënë ai, çfarë është dashur për të përfunduar komunizmin kanë qenë “largimet maksimale” mes njerëzve brenda elitave udhëheqëse, ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë. Pra, njerëz që nuk donin të fundoseshin bashkë me anijen që fundosej.
“Nuk mendoj se ndonjëherë do të ketë një lëvizje të mosbindjes civile pa bashkëpunimin e heshtur ose mos-intervenimin e ushtrisë”, ka thënë Pahlavi në intervistën e tij të shkurtit të kaluar.
Ka disa shtresa të makinerisë represive të Iranit, përfshirë milicinë Basij, por pjesa më e fuqishme dhe më e frikshme e aparatit të sigurisë është Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike. Pahlavi ka thënë se komandantët kryesor të këtij korpusi, që “po mbushin xhepat e tyre”, nuk përfaqësojnë shumicën e operativëve të kësaj organizate, një pjesë e madhe e të cilëve “nuk mund të paguajnë qiranë dhe duhet të marrin një punë të dytë në fund të turnit të tyre”.
“Ata janë, në fund të fundit, në një pikë kur mendojnë se fëmijët e tyre janë në rrugë duke protestuar kundër regjimit. Janë fëmijët e tyre ata ndaj të cilëve po u kërkohet të qëllojnë. Sa gjatë e qëndrueshme është kjo?”, ka thënë Pahlavi.
Oferta e Pahlavit për ata që largohen është se do t’u garantohet amnisti sapo regjimi të jetë rrëzuar. Ai thotë se shumica e personave që aktualisht punojnë në qeveri dhe ushtri do të duhet të qëndrojnë në rolet e tyre për të ofruar stabilitet sapo Khamenei të jetë larguar, në mënyrë që të shmanget zbrasja e administratës dhe krijimi i një vakumi institucional.
Vetëm zyrtarët e vijës së ashpër në krye të regjimit në Teheran duhet të presin ndëshkim.

Në qershor, Pahlavi njoftoi se ai dhe ekipi i tij po ndërtojnë një portal të sigurt për dezertorët që duan të regjistrojnë mbështetjen e tyre për rrëzimin e regjimit, duke ofruar amnisti për ata që regjistrohen dhe ndihmojnë në kryengritjen popullore. Deri në korrik, 50 mijë dezertorë të regjimit kishin përdorur sistemin.
Ekipi i Pahlavit tani janë të kujdesshëm sa i përket pretendimeve rreth numrit total të dezertorëve, përtej të thënit se “dhjetëra mijëra” janë regjistruar. Këta duhet të verifikohen, dhe çdo spiun i regjimit të largohet. Aleatët e Pahlavit thonë se një numër i madh i dezertorëve të rinj kanë përdorur portalin gjersa protestat morën hov ditëve të fundit.
Ndryshimi i regjimit
Në bisedat me POLITICO vitin e kaluar, Pahlavi ka insistuar se ai nuk dëshiron Shtetet e Bashkuara ose Izraeli të përfshihen direkt dhe të largojnë liderin suprem e vartësit e tij. Ai gjithmonë ka thënë se regjimi do të shkatërrohet nga një kombinim i përçarjes nga brenda dhe presioni nga mosbindja qytetare.
Ai po ashtu ka qenë kritik ndaj ngurrimit të qeverive evropiane për të kundërshtuar regjimin dhe preferencën e tyre për të vazhduar përpjekjet diplomatike, gjë që ai e ka përshkruar si legjitim. Fuqitë evropiane, veçanërisht Franca, Gjermani dhe Mbretëria e Bashkuara, historikisht kanë pasur një rol në menaxhimin e marrëdhënieve perëndimore me Iranin, duke dizajnuar edhe marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që kërkonte limitimin e pasurimit të Teheranit me uranium.
Aleatët e Pahlavit duan më shumë mbështetje dhe kundërshti vokale nga Evropa.
Presidenti amerikan ishte larguar nga marrëveshja bërthamore në mandatin e tij të parë dhe shpenzoi fare pak kohë në diplomaci gjatë mandatit të dytë. Ai urdhëroi sulme ushtarake në objektet bërthamore te Iranit vitin e kaluar, si pjesë e luftës 12-ditore të Izraelit. Për këtë sulm, shumë analistë politikë dhe ekipi i Pahlavit pajtohen se e lë elitën religjioze të Iranit dhe aparatin e saj të gjerë të sigurisë më të dobët se kurrë.
Pahlavi vazhdon të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e administratës së Trump, si dhe me qeveri të tjera nga Evropa.
Ai ka takuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, disa herë dhe thotë se e sheh si mbajtësin “më mendjemprehtë dhe më kuptues” të asaj zyre sa i përket Iranit, që nga revolucioni i 1979-së.

Në ditët e fundit, Trump ka intensifikuar kërcënimet e tij për intervenim, përfshirë edhe përmes veprimeve më të shumta ushtarake nëse sunduesit e Iranit vazhdojnë shtypjen ndaj protestuesve dhe vrasjen në numër të madh të tyre.
Në fundjavë, Pahlavi i bëri thirrje Trump të vazhdojë. “Zotëri President”, postoi ai në X këtë të diel. “Fjalët e tua të solidaritetit u kanë dhënë iranianëve fuqi për të luftuar për liri”, ka thënë ai. “Ndihmoji ata të çlirojnë veten e tyre dhe të bëjnë Iranin të Madh Përsëri”.
Mbreti kujdestar
Në qershor, Pahlavi njoftoi se është i gatshëm të zëvendësojë Khamenei dhe të udhëheq tranzicionin nga autoritarizmi drejt demokracisë.
“Kur regjimi të kolapsojë, ne na duhet të kemi një qeveri tranzicionale sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar princi i kurorës. Ai propozoi se një konferencë kushtetuese duhet të mbahet me përfaqësues iranianë për të ndërtuar një zgjidhje të re, e cila më pas duhet të ratifikohet nga populli nëpërmjet një referendumi.
Dita kur referendumi të mbahet, “aty është përfundimi i misionit tim jetësor”, ka thënë djali i shahut të fundit të Iranit.
I pyetur nëse do rivendosjen e monarkisë, ai ka thënë: “Opsionet demokratike duhet të jenë në tavolinë. Unë nuk do të jem ai që e vendos këtë gjë. Roli im, megjithatë, është të sigurojë se asnjë zë nuk mbet pa dëgjuar. Që të gjitha opinionet të kenë mundësinë të argumentojnë çështjen e tyre, nuk ka rëndësi nëse janë republikanë apo monarkistë, nuk ka rëndësi nëse janë të majtë, qendër apo të djathtë”.

Një opsion që ai nuk e ka lënë anash është rivendosja e monarkisë së përhershme, me një qeveri të zgjedhur demokratisht e që shërben në emrin e tij.
Pahlavi thotë se ai ka tri parime të qarta për vendosjen e demokracisë së re: mbrojtjen e integritetit territorial të Iranit; një sistem demokratik sekular që e ndan fenë nga qeveria dhe çdo princip të të drejtave njerëzorë të inkorporuar në ligjet tona.
Rikthimi i kapitalizmit
Përgjatë vitit të kaluar, Pahlavi është parë tek udhëton nëpër kryeqytete perëndimore duke takuar politikanë dhe figura biznesore nga bota e bankave dhe financave. Irani është një prodhues i madh i naftës dhe zë vendin e dytë në botë sa i përket rezervave të gazit natyror në botë, “që do të furnizonin Evropën edhe për një kohë të gjatë në të ardhmen”, ka thënë Pahlavi.
“Irani është rezerva më e paprekur për investime të jashtme”, ka thënë Pahlavi në shkurt. “Nëse “Silicon Valley” do të zotohej për një investim 100 miliardësh, do të mund ta imagjinonit çfarë impakti do të kishte. Qielli është limiti”.
Jo kaq shpejt
Askush nuk është i sigurt se çfarë do të ndodhë në Iran. Mund të përfundojë sërish tek Trump dhe ndoshta te Izraeli.

Shumë ekspertë nuk besojnë se regjimi do të përfundojë edhe pse është dukshëm i dobësuar. Edhe nëse protestat rezultojnë në ndryshim, shumë thonë se është më e mundshme se regjimit do të përdorë një miksim të taktikave të frikës dhe adaptimit për të ruajtur veten sesa kolapsimi apo rrëzimi i plotë i tij.
Edhe pse raportimet thonë se të rinjtë po udhëheqin protestat dhe duket se kanë rritur konfidencën, ditët e fundit kanë parë një përgjigje më të ashpër të regjimit, me spitale të mbushura me viktima.
Opozita iraniane mbetet shumë e fragmentuar. Diaspora substanciale ka kaluar kohë të vështirë për të gjetur një zë uniteti.
Sanam Vakil, një specialiste e Iranit në ‘think tank-un’ Chatham House në Londër, thotë se Irani duhet të bëjë më mirë sesa të ringjallë një monarki të dështuar. Ajo shtoi se është e pasigurt për sa gjerë mbështetet Pahlavi brenda shtetit.
“Ai nuk ka ndonjë historik politik dhe nuk ka ndërtuar një organizatë gjithëpërfshirëse opozitare”, ka thënë ajo. Sondazhe të pavarura, në të cilat mund të mbështetesh, janë të vështira për t’u gjetur dhe kujtime nga ana e errët e kohës së shahut është ende prezente.
Por avantazhi i princit në azil tani mund të jetë se nuk ka opsion më të mirë për të mbikëqyrur rënien e klerikëve dhe atë çfarë do të vie në të ardhmen.
“Pahlavi ka një emër të njohur dhe nuk ka ndonjë individ tjetër tek i cili mund të drejtohesh”, ka thënë Vakil. “Njerëzit janë të gatshëm të dëgjojnë komentet e tij thirrëse për të dalë në rrugë”.