“Aludimet janë të pasakta”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur është pyetur nëse po bën fushatë me vizitat që ka realizuar nëpër disa qytete të Kosovës ku është takuar me qytetarë. Takimet e Osmanit me qytetarë filluan pasi që nuk u rikandidua edhe për një mandat si Presidente nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Jo absolutisht. I falënderoj qytetarët për përkrahjen, për dashurinë që na kanë dhënë, për faktin që kanë qenë pranë nesh çdo ditë përgjatë këtyre 5 viteve edhe për nderin e madh që ma kanë dhënë që t’i përfaqësoj ata brenda e jashtë përgjatë këtyre viteve”, tha Osmani për gazetarë nga Mitrovica.
Sipas saj, janë thjesht “takime falënderimi”, edhe pse gjatë një takimi në Podujevë të dielën, Osmani u tha disa qytetarëve që ishin mbledhur për ta pritur t’i tregojnë se çfarë të bëjë, pasi që ajo deri më 4 prill, kur është dita e fundit e mandatit të saj si Presidente, theksoi se nuk mund të flasë.
“Unë deri më 4 prill s’mundem me fol, po kjo s’do me thanë që ju s’bën me fol. Ju kallxoni çka po doni ju”, u thotë Osmani qytetarëve në një çajtore në Podujevë.









