Në Gjykatën Speciale në Hagë kanë vazhduar paraqitjet përfundimtare të mbrojtjes në rastin ndaj krerëve të UÇK-së.
Avokati i Rexhep Selimit, Jeoffrey Roberts, ka sfiduar drejtpërdrejt Prokurorinë, duke ngritur pyetje lidhur me përfshirjen e Adem Jasharit në atë që ZPS e quan “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Roberts tha se emri i Adem Jasharit është përmendur disa herë nga Prokuroria, përfshirë luftimet në Prekaz në mars të vitit 1998, por sipas tij është anashkaluar masakra ndaj familjes Jashari.
Ai përmendi edhe pretendimet për takime të hershme, si në vitin 1992 dhe prezantimin me Rexhep Selimin nga Sylejman Selimi në vitin 1994, duke thënë se nga këto rrethana ZPS nxjerr përfundime për lidhje relevante me NPK-në.
“Mendoj se këtë e bëjnë sepse sipas tyre edhe z. Jashari është anëtar i pretenduar i Ndërmarrjes Kriminale, edhe pse nuk ia përmendin emrin. Nuk mund të diskutosh thelbin e NPK-së dhe të pretendosh se çdo anëtar i lartë i UÇK-së ka qenë pjesë e saj”, deklaroi Roberts.
Ai shtroi pyetjen nëse Prokuroria e konsideron Adem Jasharin pjesë të NPK-së, duke theksuar se nëse do të ishte kështu, kjo do të duhej të provohej.
“Shpresoj që në një moment t’i bëni këto pyetje”, u shpreh ai para trupit gjykues.









