Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, u ka dhënë premtim publik deputetëve të VV-së se do ta dorëzojë mandatin e deputetit, nëse ndonjë jurist i pavarur ose gjykatë e Kosovës thotë se lejohet propozimi i buxhetit nga Qeveria Kurti II.

Gruda tha se ligji e kufizon propozimin e projektligjeve nga qeveritë në dorëheqje dhe ato në detyrë e se përjashtim ka vetëm për qeveritë në dorëheqje, të cilat mund ta propozojnë buxhetin, duke argumentuar tutje që qeveria e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 nuk është qeveri në dorëheqje, por në detyrë e si e tillë s’mund ta propozojë projektligjin për buxhet.

Pas një argumenti që pati me ish ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu, Gruda tha se është e tmerrshme që Kosova ka pasur për pesë vjet si ministre të drejtësisë një njeri që nuk di të dallojë kufizimet me përjashtime.

Gruda premtoi publikisht se do ta lëshojë mandatin e deputetit nëse del siç po thotë Vetëvendosja e jo siç po thotë ai.

“Në qoftë se e gjeni një jurist të pavarur në këtë vend që e thotë këtë që po thotë ish ministrja e drejtësisë, unë e dorëzoj mandatin e deputetit. Në qoftë se ka gjykatë, po ju japë një premtim publik, në qoftë se e qoni ju në cilën do gjykatë të Kosovës dhe del siç po thoni ju, unë premtim publik e dorëzoj mandatin. Majeni mend prej meje. Unë e dorëzoj mandatin”, ishte premtimi publik i Përparim Grudës para deputetëve të VV-së.