Arben Mustafa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në mungesë të mundësive, “një popull i tërë po i mban sytë nga Qeveria për shtesa sepse nuk ka gjë tjetër”.

“E keni lënë një popull të pres çdo muaj a mos do të ndahen 100 euro, a mos do të ketë një shtesë tjetër”, tha Mustafa në seancën parlamentare për shqyrtimin e buxhetit për vitin 2026.

Kjo, sipas tij, “nuk ka të bëjë me zhvillim, kjo nuk është ekonomi që e fuqizon qytetarin”. “Kjo është politikë që e mabn qytetarin të varur nga Qeveria”.

Familjet kosovare, Mustafa konsideron se kanë nevojë për mirëqenie më të lartë.

“Burrat dhe gratë, të rinjtë e të rejat, kanë nevojë për më shumë vende pune që paguhen mirë. Kanë nevojë për të hyra të qëndrueshme që sigurojnë jetë me dinjitet dhe paparashikueshmëri”, shtoi ai.

Ai thekson se kanë nevojë “për arsim cilësor për familjet e tyre, për siguri shëndetësore. Kanë nevojë për një Kosovë që ec përpara”.