Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për çmimet tavan në mbledhjen e të premtes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po e sjellin këtë projektligj për miratim, i cili theksoi se “vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar: rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje”.
“Po e risjellim për miratim këtë projektligj që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti që qytetarët e kanë përjetuar, rritje e papritur e çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektivë për mbrojtje e ruajtja. Me këtë ligj po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi”, deklaroi ai.
Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese më 24 nëntor 2023, pasi që akti më i lartë juridik i vendit kishte konstatuar se ligji nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën. Ligji ishte dërguar në Kushtetuese nga partitë opozitare.
Por, në prezantimin e projektligjit, Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se janë marrë parasysh rekomandimet e Kushtueses gjatë hartimit të tij.
Ndër të tjera, Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për sigurime shëndetësore, i cili po ashtu gjatë mandatit të kaluar ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Është me rëndësi të theksojë se ky projektligj vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh. Janë analizuar sfidat dhe mangësitë, janë studiuar praktikat ndërkombëtare”, tha Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë prezantimit të projektligjit.









