Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar përsëri nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për të enjten.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, kanë thënë nga PDK-ja.
Sipas afateve kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej më së largu më 7 gusht. Por, Lëvizja Vetëvendosje, përkundër se i kishte votat, nuk propozoi kandidat për Kryetar.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, tha se i nevojitet kohë për të arritur një marrëveshje me partitë politike për Presidentin.
Nga PDK kanë konsideruar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve kushtetuese është “cenim i rendit kushtetues”.
Që pesë ditë me radhë, deputetët e PDK-së janë duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë dhe duke bërë thirrje që sa më parë të konstituohet Kuvendi.









