Lista Serbe – partia që dirigjohet nga Beogradi – ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Ata kanë pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e kësaj partie, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, kjo pasi që Nenad Rashiç u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit jo shumicë serb. Për zgjedhjen e Rashiç-it votuan deputetët e VV-së, ata të LDK-së dhe disa të minoriteteve jo shumicë jo serb.
Propozimi për zgjedhjen u tij u bë pasi që të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk arritën të marrin votat e nevojshme, paçka se u votuan nga tre herë.
Sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, pas dështimit të deputetëve të Listës Serbe do të duhej të vazhdohej me short, mirëpo kjo nuk ishte e nevojshme, pasi që Rashiç ishte deputeti i vetëm i mbetur pa u hedhur në votim nga radhët e komunitetit serb.









