Bashkimi Evropian, këtë të enjte ( 8 tetor) ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Specialen, “është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së”.
“BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati i tyre aktual dhe pavarësia duhet të respektohen plotësisht. Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thekson Bashkimi Evropian në deklaratën e publikuar.
BE, në reagimin e saj i ka bërë thirrje Kosovës “që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
“…si dhe zotimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Duhet të garantohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve”, thotë BE.
Gjykata Speciale nga ana tjetër, në një përgjigje dhënë VOX Kosovës ka thënë se “nuk do të komentojë në këtë moment” për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Për momentin nuk kemi asnjë koment. Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre për të garantuar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, thanë nga Gjykata Speciale.









