Pa asnjë marrëveshje ka përfunduar edhe takimi i dytë ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Pas përfundimit të takimit, Kurti u deklarua shkurt para gazetarëve, duke thënë se “s’ka lajm”, duke konfirmuar se palët nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.
“Kur të realizojmë marrëveshjen ju njoftojmë” ka thënë Kurti.
Ky ishte takimi i dytë radhazi mes dy liderëve. Edhe takimi i zhvilluar të martën përfundoi pa rezultat konkret, ndërsa pas tij si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, nuk e përjashtuan mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke lënë të kuptohet se dallimet mes palëve vazhdojnë dhe se nuk është arritur pajtim për zgjidhjen e ngërçit politik.
Para takimit me Abdixhikun, Kurti kishte ftuar edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të AAK-së, Ardian Gjini, për takime konsultative. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës së kreut të Vetëvendosjes.









