Vetëvendosja, gjatë gjithë mandatit qeverisës, Serbinë e ka përdorur si alibi për t’i sulmuar mediat dhe opozitën.
Më i zëshmi ka qenë kreu i VV-së, Albin Kurti. Në qershor të vitit 2023, ai e kishte etiketuar një gazetare si dikush që shpalosë kërkesa të Beogradit.
“Shkëmbimin natyrisht se do të mund ta kërkonte Beogradi, por ju lutem mos e përfaqësoni atë, jeni qytetar të republikës së Kosovës, jeni gazetar të këtij vendi. Nuk keni nevojë të paraqitni një kërkesë të Beogradit karshi republikës demokratike të Kosovës”, thoshte Kurti.
Në vitin 2022, kishte akuzuar mediat se me “vetëdije” i shërbejnë Serbisë.
Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Dimal Basha, tash Kryetar i Kuvendit, ndaj një gazetare të RTK-së, ku e kishte krahasuar televizionin publik me atë të Serbisë.
Në linjë të njëjtë është edhe numri dy i VV-së, Glauk Konjufca. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të dielën, Konjufca tha se partitë opozitare “po mendojnë se nuk ka Republikë nëse nuk zgjidhet një nënkryetar i Listës Serbe”.








