Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, reagoi për zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut. Ai uroi vetëm njërën palë shqiptare për rezultatin në zgjedhje, partnerët e tij – koalicionin VLEN. Asnjë fjalë nuk e tha për kundërpeshën e VLEN-it – Aleancën Kombëtare për Integrim të udhëhequr nga Ali Ahmeti.

Kurti, në reagimin e tij në Facebook, uroi VLEN-in për fitoren në zgjedhje, duke i specifikuar vetëm dy prej liderëve të këtij koalicioni. Përgëzoi Bilall Kasamin për fitoren në Tetovë dhe Izet Mexhitin për fitoren në Çair, të cilët, sipas tij, kanë fituar “me punë të ndershme”.

Por, nuk e tha asnjë fjalë për humbjen e shqiptarëve në Komunën e Kërçovës. Kjo komunë nuk do të jetë në qeverisjen e shqiptarëve pas 12 vitesh. Tani do të udhëhiqet nga partia nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE-ja.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 2 nëntor, Aleksandër Jovanovski i VMRO-së mori 52.09 për qind, duke lënë pas Fatmir Deharin e AKI-së me 44.70 për qind, i cili kishte drejtuar këtë komunë që nga viti 2013, duke u bërë shqiptari i parë që udhëheqë me këtë komunë.

Kurti përveç që nuk reagoi për humbjen, as nuk i kishte dhënë mbështetje e as nuk kishte bërë thirrje që të votohet Dehari në Kërçovë, përkundër se në raundin e dytë ishte kandidati i vetëm shqiptar.

Përpos Kërçovës, kryeministri në detyrë i Kosovës nuk e tha asnjë fjalë as për humbjen e shqiptarëve në Komunën e Bervenicës, aty ku shqiptarët kishin mundësinë historike që të merrnin drejtimin e kësaj komune.

Shqiptarët nuk fituan në Bërvenicë për shkak se kandidati i VLEN-it, Haqim Ramadani, u la i vetëm në betejën e tij kundër VMRO-DPMNE-së. E braktisën edhe liderët e VLEN-it, në një kohë kur kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski, po e sulmonte dhe kërcënonte publikisht. Madje, ata edhe u pajtuan me deklaratat e Mickoski-t, i cili thoshte se Ramadani do të humbë zgjedhjet dhe do të shkarkohet nga pozita e tij në Qeveri.

Përfundimisht, Bervenicën e fitoi Jovica Ilievski i VMRO-së me 49.83 për qind, me një epërsi të lehtë ndaj Ramadanit i cili grumbulloi 48.13 për qind.

Kurti nuk reagoi as për fitoren historike të shqiptarëve për herë të parë në komunën e Çashkës, e cila u fitua nga Suat Shaqiri i AKI-së, kundërshtarët e VLEN-it, partnerët e Kurtit. Shaqiri fitoi në Çashkë me 50.71 për qind, duke lënë pas Goran Stojanovski e LSDM-së me 24.24 për qind dhe Dejan Andonovski e VMRO-së më 23.45 për qind.

Përveç urimit, në reagimin e tij, Kurti tha edhe se gjatë kohës sa VLEN është në bashkëqeverisje me Mickoskin kanë qeverisur “me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara”, derisa shtoi se janë thelluar raportet mes dy vendeve.

“Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore”, shkroi Kurti.

Por, nuk përmendi faktin se gjatë kësaj qeverisje janë bërë thirrje për “dhoma gazi për shqiptarët”, janë larguar shqiptarët nga puna, është shfuqizuar balancuesi – mekanizmin që rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet shtetërore – dhe tentimet për shfuqizimin e gjuhës shqipe në RMV.

Kurti që disa herë është duke ndërhyrë në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut. Në të gjitha rastet ka qenë kundër Bashkimit Demokratik për Integrim dhe liderit të saj, Ali Ahmeti. Pozicionimi i tij për një parti apo koalicion të caktuar është konsideruar si “përçarje” e faktorit politik shqiptar në RMV.