Publikimi nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së i miliona dokumenteve të brendshme që lidhen me Jeffrey Epstein ka zbuluar lidhjet e financierit të ndjerë me shumë figura të njohura në politikë, financë, akademi dhe biznes – si para, ashtu edhe pas pranimit të fajësisë së tij në vitin 2008 për akuza prostitucioni, përfshirë kërkimin e shërbimeve nga një vajzë nën moshë.
Prova nga disa çështje ligjore dhe penale kanë hedhur gjithashtu dritë mbi këto lidhje.
Epstein u arrestua sërish në vitin 2019 për akuza federale për trafikim seksual të të miturve. Vdekja e tij në vitin 2019 në një qeli burgu në Manhattan u cilësua si vetëvrasje.
Departamenti i Drejtësisë ka paralajmëruar se materiali mund të përfshijë imazhe të falsifikuara ose akuza të pavërteta, si edhe materiale pornografike.
Të hënën, Departamenti tha se kishte hequr disa mijëra dokumente që, pa dashje, identifikonin disa nga viktimat e Epstein.
Zyrtari i dytë më i lartë i Departamentit të Drejtësisë, Todd Blanche, ka thënë se materiali nuk përbën prova të veprimtarisë kriminale seksuale nga personat e përmendur në dosje.
Më poshtë janë disa nga personat e njohur, lidhjet e të cilëve me Epstein dalin në pah në materialin e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë, shkruan Reuters.
DONALD TRUMP
Trump shoqërohej gjerësisht me Epstein në vitet 1990 dhe 2000 dhe citohet në një profil reviste të asaj periudhe duke thënë se Epstein pëlqente gratë “më të reja”. Dokumentet përfshijnë fotografi të Trumpit me disa gra, fytyrat e të cilave janë redaktuar, si dhe një shënim sugjestiv drejtuar Epstein-it, i kornizuar nga konturi i një gruaje të zhveshur, që duket se mban nënshkrimin e Trumpit.
Prova dhe dëshmi të paraqitura në gjyqin e vitit 2021 ndaj bashkëpunëtores së Epstein-it, Ghislaine Maxwell, tregojnë se Trump ka udhëtuar disa herë me avionin e Epstein-it.
Epstein shkroi në një email se Trump “dinte për vajzat”, megjithëse nuk është e qartë çfarë nënkuptonte.
Trump ka mohuar çdo dijeni për krimet e Epstein-it dhe thotë se i ndërpreu lidhjet në fillim të viteve 2000, para marrëveshjes së pranimit të fajësisë së Epstein-it. Ai mohon se ka fluturuar ndonjëherë me avionin e Epstein-it dhe thotë se shënimi sugjestiv ishte i falsifikuar.
BILL CLINTON
Ish-presidenti amerikan shoqërohej me Epstein dhe fluturoi disa herë me avionin e tij në fillim të viteve 2000, pasi Clinton kishte lënë detyrën. Fotografitë e publikuara e tregojnë atë duke notuar dhe pozuar me gra, fytyrat e të cilave janë redaktuar. Clinton ka mohuar keqbërje dhe thotë se i vjen keq për lidhjen e tij të mëparshme me Epstein.
ANDREW MOUNTBATTEN-WINDSOR
Ish-Princi Andrew, Duka i Yorkut, mbajti një marrëdhënie shoqërore me Epstein dhe është zhveshur nga titulli mbretëror për shkak të kësaj lidhjeje.
Departamenti i Drejtësisë kërkoi bashkëpunimin e tij në disa hetime penale, por u refuzua.
Ai gjithashtu zgjidhi një padi të ngritur nga një prej viktimave të Epstein-it në vitin 2022, duke bërë një pagesë të padeklaruar pa pranuar faj.
Dosjet përfshijnë disa fotografi të tij me gra, përfshirë një ku ai është i gjunjëzuar mbi një grua dhe një tjetër ku shtrihet mbi prehërit e disa grave.
Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje dhe ka shprehur keqardhje për miqësinë me Epstein-in, duke thënë se nuk ka parë asnjë krim seksual.
HOWARD LUTNICK
Sekretari i Tregtisë i Trump-it duket se ka vizituar ishullin privat të Epstein-it për drekë në vitin 2012 dhe e ka ftuar atë në një aktivitet mbledhjeje fondesh në vitin 2015 për Hillary Clinton, rivale demokrate e Trump-it në zgjedhjet e vitit 2016, sipas emaileve.
Kjo bie ndesh me pretendimin e Lutnick se ishte betuar të mos “ishte në të njëjtën dhomë” me Epstein-in pas një incidenti në vitin 2005, kur Epstein i tregoi atij një tavolinë masazhi në shtëpinë e tij dhe bëri një koment seksual sugjestiv.
Ish-drejtori i Cantor Fitzgerald jetonte pranë Epstein-it në Nju Jork në atë kohë. Një zëdhënës i Departamentit të Tregtisë tha se Lutnick kishte ndërveprime të kufizuara me Epstein-in dhe nuk është akuzuar kurrë për keqbërje.
ELON MUSK
Drejtori ekzekutiv miliarder i Tesla-s i kërkoi Epstein-it në vitin 2012 nëse kishte planifikuar ndonjë festë në ishullin e tij, por duket se vendosi të mos e vizitonte.
Epstein iu përgjigj se “raporti në ishullin tim” mund ta bënte shoqëruesen femër të Musk-ut të ndihej në siklet, pa dhënë shpjegime të tjera.
Musk e ftoi Epstein-in për pije në një ishull tjetër disa ditë më vonë, por nuk është e qartë nëse u takuan. Musk tha se kishte pak ndërveprime me Epstein-in dhe se kishte refuzuar ftesa të përsëritura për të vizituar ishullin ose për të fluturuar me avionin e tij.
LARRY SUMMERS
Ish-sekretari amerikan i Thesarit dhe ish-presidenti i Universitetit të Harvardit fluturoi disa herë me avionin e Epstein-it që nga viti 1998 dhe u takua me të për të diskutuar çështje ekonomike dhe biznesi ndërsa drejtonte Harvardin.
Marrëdhënia vazhdoi deri në vitin 2019, kur emailet tregojnë se Summers kërkonte këshilla për një interes romantik. Nuk ka dalë asnjë provë për keqbërje, por Summers dha dorëheqjen nga pozicione në Harvard, OpenAI dhe institucione të tjera të njohura në nëntor, pas publikimit të dokumenteve.
Summers tha në nëntor se ishte “thellësisht i turpëruar” nga veprimet e tij dhe se do të tërhiqej nga angazhimet publike për të “riparuar marrëdhëniet me njerëzit më të afërt”.
KEVIN WARSH
I nominuari i Trump-it për të drejtuar Rezervën Federale u përmend në një email nga një publicist drejtuar Epstein-it, ku listoheshin 43 persona, përfshirë të famshëm si Martha Stewart, që do të merrnin pjesë në një mbledhje Krishtlindjesh në vitin 2010. Nuk është e qartë nëse Warsh e njihte Epstein-in ose pse shënimi iu dërgua atij. Warsh nuk ka komentuar ende.
MELANIA TRUMP
Dosjet përfshijnë një email të vitit 2002 nga bashkëshortja e Trump-it, Melania Trump, drejtuar Maxwell-it për një artikull reviste mbi Epstein-in. “Dukesh shkëlqyeshëm”, thuhet në email.
BILL GATES
Dokumentet tregojnë se Gates dhe Epstein u takuan disa herë pas dënimit me burg të Epstein-it për të diskutuar zgjerimin e përpjekjeve filantropike të themeluesit të Microsoft-it. Ato përfshijnë edhe fotografi të Gates-it duke pozuar me gra, fytyrat e të cilave janë redaktuar. Gates ka thënë se marrëdhënia ishte e kufizuar në diskutime për filantropinë dhe se ishte gabim që u takua me të.
JES STALEY
Ish-drejtuesi i JPMorgan dhe Barclays renditet si pjesëmarrës në mbledhje të organizuara nga Epstein. Ai shkëmbeu rreth 1.200 e-maile me Epstein-in mes viteve 2008 dhe 2012, disa prej të cilave përfshinin diskutime rreth personazheve të Disney-t dhe fotografi të grave të reja, sipas dokumenteve gjyqësore. Staley ka mohuar se kishte dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein-it.
Ai është ndaluar nga industria financiare në Mbretërinë e Bashkuar dhe është paditur nga JPMorgan, e cila pretendon se ai fshehu informacione për keqbërjet e Epstein-it.
PETER MANDELSON
Policia britanike tha të hënën se po shqyrton raportet për keqbërje të dyshuara që përfshijnë politikanin veteran britanik, emri i të cilit shfaqet më shumë se 5.000 herë në dosjet e Departamentit të Drejtësisë. Ai u shkarkua si ambasador në SHBA vitin e kaluar pasi dolën në dritë emaile ku e quante Epstein-in “miku im më i mirë” dhe e këshillonte për lirimin e parakohshëm nga burgu.
Mandelson u ka kërkuar falje viktimave të Epstein-it dhe ka mohuar keqbërje.
PETER ATTIA
Emri i influencuesit të mirëqenies shfaqet më shumë se 1.700 herë në dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë. Ai tha në rrjete sociale se u takua me Epstein-in shtatë ose tetë herë në shtëpinë e tij në Nju Jork mes viteve 2014 dhe 2019, por nuk pa kurrë veprimtari të paligjshme dhe as Epstein-in të shoqëruar nga persona që dukeshin nën moshë.