Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë reaguar në Sekretariatin e Kuvendit lidhur me një komunikatë të publikuar dje nga Kuvendi i Kosovës.

Shkak për reagimin e tyre është bërë paragrafi i fundit i komunikatës, ku përshkruhet një aktivitet i deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Në këtë pjesë të komunikatës, Kuvendi i Kosovës ka përmendur edhe hyrjen e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së në sallën plenare, duke thënë se me këtë rast aktiviteti ishte ndërprerë.

“Pas fjalës së saj, të rinjtë u ftuan në grupe në sallën e seancave plenare për t’u njoftuar me punën e Kuvendit. Gjatë kësaj pjese në sallë hynë deputetë të grupeve parlamentare të PDK-së dhe të AAK-së, me ç’rast aktiviteti u ndërpre”, thuhet në komunikatë.

Sipas Kuvendit, për atë datë nuk ishte thirrur asnjë seancë plenare dhe salla ishte në shfrytëzim vetëm për këtë aktivitet, ndërsa prej orës 12:00 për “ditën e tretë të pritjes së mërgatës”.

Pikërisht ky formulim ka nxitur reagimin e deputetëve të PDK-së, të cilët e konsiderojnë të papranueshme që në komunikatë të veçohet hyrja e deputetëve në sallën plenare, e cila është vendi i tyre i punës.

Komunikatën e Kuvendit, deputetja e PDK-së, Blerat Deliu-Kodra, e quajti skandaloze, duke shtuar se Kuvendi nuk i takon asnjë partie politike dhe se i njëjti, siç pohoi ai, është marrë “peng” nga Vetëvendosja.

“Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit. Nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, tha Deliu-Kodra.

Deputetët e PDK-së kanë kërkuar sqarime nga Sekretariati i Kuvendit lidhur me përmbajtjen dhe formulimin e kësaj komunikate.