Federata Evropiane e Gazetarëve në raportin e fundit ka shkruar, atë që ne tashmë e dimë prej kohësh se “liria e mediave në Kosovë ka shënuar periudhë të rënies”.

Në anën tjetër raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan konstatonte një fakt që po ashtu e dimë, se ka “korrupsion serioz qeveritar”.

Derisa të dhënat e bankës botërore tregojnë se në Kosovë shtresa e varfër veç është varfëruar më shumë e të pasurit kanë akumuluar pasuri si asnjëherë tjetër.

Shifrat e largimit të të rinjve janë rritë e inflacioni gjithashtu, derisa secili raport na tregon se kosovarit mesatar shumica e pagës i shkon në blerjen e ushqimeve bazike.

Të gjitha këto janë të rënda fort, i vuajmë secili prej nesh, të kombinuara bashkë me stresin momental e ankthin për një të ardhme që duket e zymtë.

Dhe të gjitha këto po ndodhin në një pushtet nga një parti që na thoshte që shqetësimin kryesor e ka demokracinë e varfërinë.

Sot e shohim se është në pushtet pikërisht kjo parti e ne kemi demokraci më pak, tolerancë për mendim ndryshe më pak, shkelje të ligjeve, shkelje të Kushtetues e hajni më shumë.

Shtresat në Kosovë nuk janë më të barabarta. E kundërta. Dallimi është rritur. Derisa veç në Prishtinë, numri i banesave është shtuar 4 herë më shpejt se numri i banorëve në një ndërmarrje të shpëlarjes së parasë që është sekret publik.

Në pushtet e kemi një parti të majtë, por ministri arsimit nuk e ka fëmijën në shkollë publike të Kosovës, nuk e ka as ish-presidentja, nuk e ka as zëvendës-kryeministrja e fëmija i kryeministrit as nuk jeton në Kosovë.

Parti e majtë por shumica e pushtetarëve jetojnë në lagje luksoze të mbyllura ku qytetari i zakonshëm s’ka para as t’i vizitojë lere më të blejë diçka aty.

Por, çuditërisht, kjo situatë e ka një të mirë.

Mbase gjenerata jonë do ta vuaj, por gjeneratat e ardhshme po e kuptojnë se duhet të heqin dorë nga profet të rrejshëm. Duhet të heqin dorë nga mashtrues që të japin zgjidhje të thjeshta për probleme të komplikuara.

Shqiptarët po e kuptojnë se nuk i lihen çelësat e shtetit në dorë një njeriu që beson se ekonomia përmirësohet me një fabrikë keqapi. Një njeriu që punën e parë në jetë e ka kryeministër.

Një njeriu që nuk i kupton hallet e njerëzve, sepse nuk ka jetuar kurrë gjatë jetës së tij si qytetar i Kosovës.

Sa jo kryeministër duhet të jetë dikush të besoj se pabarazia shuhet me 100 euro për secilin në prag zgjedhjesh.

Pra, dështimi katastrofal i Albin Kurtit e ka një dobi. Shqiptarët janë çliru nga iluzionet e një fjalamani që premtonte zgjidhje problemesh me prekje pulle.

Shqiptarët më kurrë s’kanë me ju besu parullave boshe dhe kurrë më s’do ta dorëzojnë ndërgjegjen e vet e përgjegjësinë e vet te një sehirbaz.

Besimin e verbër te një individ kanë me e kthy në mosbesim të secili që premton pa mbulesë, që flet për punë pa përvojë dhe dëshirat e vetme të të cilit janë pushtet pa kufij për vete.

E di, mund të jetë çmim i shtrenjtë për t’i kuptuar disa të vërteta, por janë të vlefshme pikërisht se paguhen me gjithë këtë sakrificë.