Kryesia e Kuvendit është pajtuar që në seancën e së hënës të miratojë një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë tha se deklarata do të ketë karakter politik dhe jo juridik.
“Miratimin e një deklarate që lidhet me vendimin e padrejtë në Hagë. Ne kemi kërkuar që deputetët të kontribuojnë në draftimin e kësaj deklarate. Kjo deklaratë nuk ka peshë juridike, por politike”, tha Haxhiu.
Ajo iu përgjigj edhe kritikave se nuk kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme pas vendimit të Speciales, duke thënë se nuk kishte pasur një kërkesë të tillë.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se në mbledhjen e Kryesisë kishte kërkuar që Kuvendi të reagojë ndaj situatës dhe të ketë një qëndrim të përbashkët.
“Andaj, isha këtu që të alarmoj situatën, ta kthej fokusin te situata emergjente. Kryesisë së Kuvendit i kërkova që Kuvendi ta ketë një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam që ta kemi një deklaratë të përbashkët në seancën që do të mbahet ditën e hënë”, deklaroi Tahiri.









