Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare këtë të premte, duke filluar nga ora 10:00.

Si pikë e parë e rendit të ditës është pikërisht miratimi i rendit të ditës. Në mbledhjen e Kryesisë të mërkurën pati kundërshtimet për rendin e ditës pasi që opozita kërkoi që rezolutat për mbrojtjen e së vërtetës së luftës të jetë si pikë e parë e rendit të ditës.

Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare.

Në rend dite është shqyrtimi i katër marrëveshje ndërkombëtare:

Votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfË, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0.

Po ashtu, pikë e rendit të ditës është edhe votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftë, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit e zgjedhja e një anëtari Joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Si pika të rendit të ditës janë edhe shqyrtimi i “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999” dhe Propozimi i grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.