Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dështoi përsëri, edhe pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Procesi ka ngecur te zgjedhja e Kryetarit. Albulena Haxhiu, kandidate e Vetëvendosjes, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme për të marrë drejtimin e legjislativit.

Në seancë ishin të pranishëm 116 deputetë. Haxhiu mori 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenime. Pas saj, VV propozoi Donika Gërvallën, por as ajo nuk arriti të marrë votat e nevojshme. Rezultati i votave ishte identik: 57 pro, 56 kundër dhe 3 abstenime.

Pro Haxhiut dhe Gërvallës votuan deputetët e VV-së dhe disa të minoriteteve jo shumicë. Kundër votuan PDK, LDK, AAK, Lista Serbe dhe disa deputetë të minoriteteve jo shumicë, ndërsa 3 deputetë të Nismës Socialdemokrate abstenuan.