Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka mandatuar Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.
“Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shtoi ajo.
Po ashtu, është caktuar edhe seanca për zgjedhjen e Qeverisë. Ajo do të mbahet nga ora 14:00.

Këto zhvillime po ndodhin pasi që Haxhiu, ndonëse pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e shpalli të konstituuar Kuvendin.









