Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur Kuvendi po mblidhet për konstituim, ka përmendur opsionin e shkuarjes në zgjedhje.
Në një prononcim për gazetarë para hyrjes në seancën e Kuvendit, Kurti tha se ka marrëveshje politike, duke iu referuar asaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës për Presidentin, por duhet që të sigurohen numrat e mjaftueshëm për t’i evituar zgjedhjet, duke qenë se një pjesë e deputetëve të LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për Kryetar të shtetit.
““Marrëveshje politike kemi, këtë e kemi kërkuar, por natyrisht që marrëveshja politike duhet të na i sigurojë edhe numrat për të evituar zgjedhjet, sepse e dini konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja nëse nuk e zgjedhim edhe Presidentin, dhe për ta zgjedhur neve na duhet që të kemi 2/3, kuorumi që të jetë i pranishëm në Kuvend, tash Kuvendi kur të bëhet i konstituuar i legjislaturës së 13-të”, tha Kurti.
“Por marrëveshja politike duket që s’ka qenë e mjaftueshme, prandaj, ne e kemi të domosdoshme që t’i kemi aty të gjithë deputetët e marrëveshjes për kandidatin tonë të përbashkët, profesor Bekim Sejdiun ose edhe të kemi deputetë shtesë. Pra, kjo është shumë e rëndësishme, por meqenëse kemi marrëveshje politike dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, Avni Dehari, ne i përgjigjemi pozitivisht”, shtoi ai.









