Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit pritet të mbahet në fillim të muajit gusht, ndërsa data dhe ora e saktë do të bëhen publike javën e ardhshme.

Ajo tha se Kushtetuta i jep presidentit afat prej 30 ditësh për ta thirrur seancën konstituive, duke theksuar se afati kushtetues përfundon më 7 gusht.

Sipas Haxhiut, vendimi për të mos e thirrur menjëherë seancën është marrë për t’u dhënë kohë partive politike që të zhvillojnë bisedime dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Kam vlerësuar që t’u jap partive politike kohën në dispozicion që të mbërrijnë te një marrëveshje, në mënyrë që pas konstituimit të Kuvendit të mos kemi nevojë të presim 60 ditë për zgjedhjen e presidentit ose të përballemi me zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi ajo.

Haxhiu tha se nuk beson se zgjedhjet e reja do t’i shërbenin interesit të qytetarëve apo të subjekteve politike.

Ajo përshëndeti takimet e zhvilluara me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, duke e vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e PDK-së dhe LDK-së në procesin e dialogut.

“Nuk më duket mirë që LDK-ja tashmë i ka pezulluar takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’u përgjigjet pozitivisht ftesave për takime, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje duhet të vazhdojnë, pasi sipas saj askush nuk dëshiron që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme do ta dini ditën e saktë dhe orën e saktë. Është e rëndësishme që në seancën konstituive të jenë të pranishëm të 120 deputetët, ashtu siç e kërkon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi Haxhiu.