Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka aluduar se Vjosa Osmani është kandidate partiake, e cila u propozua për Presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që Vetëvendosja kërkoi nga opozita tre emra të kandidatëve për të parin e shtetit.

Këto komente, Kurti i bëri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku u diskutua për çështjen e Presidentit, e në të cilën kreu i ekzekutivit akuzoi vazhdimisht opozitën se po e bllokon zgjedhjen e kryetarit të shtetit.

“Krerët e PDK-së e LDK-së bëjnë deklarata në media e rrjete sociale, madje edhe propozime partiake, por asgjë zyrtare, asgjë konkrete, asnjë emër konsensual nuk erdhi as privatisht e as publikisht”, deklaroi Kurti.

Në këtë seancë mori pjesë vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Opozita nga ana tjetër: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, refuzuan që të bëhen pjesë e saj, duke e konsideruar si “spektakël politik” dhe “show propagandistik” të VV-së.