Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte në gjyq, ndërsa zëvendësi i tij, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kishte thënë se aktgjykimi për krerët e UÇK-së është i tmerrshëm për luftën çlirimtare.
Në një konferencë për media të përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 1 tetor, Kurti, duke cituar Kryetarin e Trupit Gjykues, Charles Smith, i cili krerët e UÇK-së i shpalli si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha se UÇK-ja nuk ishte në gjyq.
“Dhomat e Specializuara theksuan qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, tha Kurti.
Por, qëndrim tjetër për aktgjykimin skandaloz të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kishte pasur numri dy në Qeveri dhe Vetëvendosje.
Në ditën kur u shqiptua dënimi ndaj katërshes së UÇK-së, Konjufca nga Haga e konsideroi vendimin si “të tmerrshëm” për luftën çlirimtare dhe Kosovën.
“Po e vlerësoj një gjykim të tmerrshëm për Kosovën, për popullin tonë, për luftën tonë çlirimtare. Populli i Kosovës vetë e ka përjetuar luftën, e di çka është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ne e dimë që nuk ka pasur kurrfarë mekanizmi kriminal për me e cenu asnjë popullatë brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.
Madje, kryediplomati e cilësoi edhe si “dëm shumë të madh” për shtetin e Kosovës.
“Nuk mundesh me e gjetë kurrfarë programi, nuk mundesh me gjetë kurrfarë qëllimi brenda UÇK-së me këto për të cilat po pretendon Gjykata”.
“Është një vendim vërtetë i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar për 4-shën udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vërtetë është diçka për të cilën do të jetë një dëm shumë i madh edhe për narracionin tonë edhe për shtetin e Kosovës”, shtoi ai.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim.
Ish-Presidenti Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, ish-Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, ish-Kryetari tjetër i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe ish-deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, me 13.
Që nga dënimi i krerëve të UÇK-së, shqiptarët janë duke protestuar çdo ditë, duke kundërshtuar aktgjykimin.
Protesta janë mbajtur në Kosovë, në vendet e Bashkimit Evropian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e madje edhe në Australi.
Protestuesit, ndër të tjera, janë duke kërkuar votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili tani është miratuar në Qeveri për t’u dërguar në Kuvend për votim.









