Pavarësisht aktgjykimit të plotfuqishëm që e shpall të kundërligjshëm emërimin e tij, Fahredin Veselaj vazhdon të ligjërojë dhe të vlerësojë studentët në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin C.nr.22/2024 të datës 29.07.2025, të konfirmuar nga Gjykata e Apelit, e ka anuluar emërimin e Veselajt në thirrjen Profesor Asistent.
Kjo pasi që Gjykata ka konstatuar një varg shkeljesh në konkurs.
Sipas ligjit për arsimin e lartë, Statutit të UP-së dhe Rregullores nr. 886, kandidati duhet të ketë të paktën një punim kryesor të publikuar në revistë ndërkombëtare. Raporti i Komisionit Vlerësues (nr. 6080/3, 29.06.2023) ia ka dhënë të gjitha 14 pikët e kategorisë A për dy punime me status “accepted”, pra të papublikuara. Pa to, Veselaj do të kishte 0 pikë në këtë kategori, ndërsa minimumi është 1 pikë. Në total do të kishte 40 pikë, kundrejt 53 pikëve të kandidatit tjetër, i cili ka tri punime të publikuara në revista të indeksuara në Scopus.
Komisioni e ka evidentuar njërin punim si të pranuar më 13.06.2023, sipas linkut të paraqitur nga kandidati. Sipas faqes zyrtare të revistës International Journal of Biomedicine, ai është pranuar në revistë më 1 qershor 2023, është pranuar për publikim më 5 korrik 2023 dhe është publikuar më 5 shtator 2023. Konkursi ishte mbyllur më 14 qershor 2023.
Gjykata ka vlerësuar se ky punim nuk duhej marrë fare parasysh.
Neni 7 paragrafi 8 lejon punime “accepted” vetëm për kandidatin që e ka tashmë thirrjen përkatëse, ose për të tjerët vetëm kur nuk ka kundërkandidat me punime të publikuara. Konkursi parashihte emërime për herë të parë në thirrje, dhe sipas gjykatës pozita e asistentit nuk është e njëjtë me thirrjen Profesor Asistent.
Në tabelën për shërbim vullnetar pa kompensim financiar, Veselaj është poentuar për pozitat Drejtor i Klinikës së Urologjisë në QKUK dhe Kryetar e anëtar i Komisionit për provim specialistik, të cilat janë të kompensuara.
Kandidati që zgjidhet për herë të parë në këtë thirrje nuk duhet të jetë mbi 50 vjeç. Veselaj, i lindur më 02.05.1969, ishte 54 vjeç në kohën e konkursit, ndërsa kandidati tjetër 41. Gjykata Themelore është mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme Rev.nr.187/2025 dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese KI147/22.
Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë (vendimi nr. 8035, 22.09.2023) e ka refuzuar ankesën vetëm me një referim të përgjithshëm në Rregullore. Senati (vendimi nr. 4/207, 20.12.2023) e ka miratuar raportin e Komisionit për Ankesa pa arsyetim të mirëfilltë. Gjykata ka konstatuar cenim të së drejtës për vendim të arsyetuar. Senati e ka emëruar Veselajn me vendimin nr. 2/473 të 24.10.2023, para se të skadonte afati i ankesave, dhe kontrata e punës është nënshkruar më 03.11.2023.
Gjykata ka gjetur se Veselaj është trajtuar më favorshëm dhe se kandidati tjetër është diskriminuar tërthorazi, në kundërshtim me Ligjin e Punës, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe nenet 24 e 49 të Kushtetutës. Sipas gjykatës, ai i plotëson të gjitha kushtet për emërim: gradën doktor i shkencave, punime të publikuara në revista ndërkombëtare, mbi tri vjet përvojë në mësimdhënie dhe kriterin e moshës.
Pala ankuese ndaj Veselajt thotë se vazhdimi i mësimdhënies dhe i vlerësimit të studentëve nga një person me emërim të anuluar vë në pikëpyetje ligjshmërinë e procesit mësimor. Ata theksojnw se mosveprimi i vazhdueshëm krijon dyshim të bazuar se zvarritja është e qëllimshme, me synim ruajtjen e pozitës së kandidatit të përzgjedhur.









