Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Vjosa Osmani mund të zgjidhet Presidente edhe pa votat e PDK-së, duke mos shprehur mbështetje që Osmani të marrë edhe një mandat në krye të shtetit.

“Po që se LDK-ja e sjell Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, mund të zgjidhet me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ndoshta edhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës”, tha Hamza për gazetarët.

I pyetur nëse do ta votonin një kandidat nga Familja Jashari, kreu i PDK-së deklaroi se nuk kanë ndryshuar qëndrim për ndonjë kandidat eventual nga kjo familje.

“Nuk mund të flasim mbi bazën e situatave hipotetike. E ruajmë vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për familjen Jashari. E kemi dhënë qëndrimin tonë dhe qëndrimi ynë nuk ndryshon”, potencoi Hamza.

Osmani u propozua nga Lidhja Demokratike e Kosovës pasi që Vetëvendosja të shtunën kërkoi nga opozita tre emra të kandidatëve për President.

Për dallim nga LDK, PDK-ja e refuzoi këtë ofertë, duke e konsideruar si manovër të Kurtit, derisa theksuan se për ta kjo çështje është e mbyllur.

Deputetët kanë afat për ta zgjedhur Presidentin deri më 28 prill (e martë). Nëse nuk e zgjedhin deri në këtë ditë, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.