Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, në dëshminë e tij në Hagë ka treguar për paralajmërimin që ia kishte bërë ish-Presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, se NATO do të intervenonte në Kosovë.
Clark ka treguar se i kishte thënë Millosheviç-it se duhej që t’i tërhiqte forcat nga Kosova. “I thashë: ‘Nëse nuk e bëni, NATO do të më urdhërojë të zbatoj planin dhe të filloj bombardimin’. Ai tha: ‘Epo NATO duhet të bëjë atë që duhet të bëjë’. I thashë: ‘Nuk e doni këtë, z. President’. Ai tha: ‘Po, ke të drejtë. Flisni me gjeneralët’”, tha Clark.
Pjesë nga dëshmia e Clark-it:
Në këtë paragraf ju…
Por më lejoni të them diçka: ky paragraf mbulon shumë gjëra. Kështu që nga fundi i shtatorit deri në fillim të nëntorit, apo fillim të dhjetorit, bëra tre udhëtime në Beograd. Mora Javier Solanën një herë me vete dhe u ulëm me Millosheviç-in.
Millosheviç-i tha: “I kam tërhequr këto forca.” Dhe Solana u kthye nga unë dhe më pyeti: “Cilat forca nuk janë tërhequr?” Unë e emroja forcën. Ai ia thoshte Millosheviç-it. Millosheviç-i kthehej nga gjenerali Perishiç. Sigurisht, ata flisnin serbisht në atë moment, kështu që unë nuk e kuptoja. Pastaj Millosheviqi kthehej dhe thoshte: “Do të tërhiqet.” Me nervozizëm. Nuk mund të kuptoje nëse ishte i zemëruar me ne që e kapëm në gënjeshtër apo me Perishiçin që nuk ia kishte thënë.
Kështu që kjo ndodhi tri herë me Millosheviç-in. U larguam. Mendonim se ishte takim i suksesshëm. Asgjë nuk ndodhi. Forcat nuk u tërhoqën.
U kthyem një javë më vonë. I thashë Presidentit Millosheviç se duhej të tërhiqte forcat. I thashë: “Nëse nuk e bëni, NATO do të më urdhërojë të zbatoj planin dhe të filloj bombardimin”. Ai tha: “Epo NATO duhet të bëjë atë që duhet të bëjë”. I thashë: “Nuk e doni këtë, z. President”. Ai tha: “Po, ke të drejtë. Flisni me gjeneralët”.








