Ashtu si PDK, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për takim për formimin e institucioneve të reja. Sipas Abdixhikut, LDK “do të jetë pjesë aktive drejt formimit të institucioneve të reja”.
“Unë sot kam marrë një letër për takim me Kryetarin e Vetëvendosjes në formatin 1 plus 1. Pra, këtë herë do të takohemi 2 me 2 dhe do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj ftese. Do të provoj të takohem edhe me liderë tjerë nga opozita”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se letra e Kurtit është komunikimi i parë që ka pasur me liderin e Vetëvendosjes që një kohë të gjatë, dhe se në rrethanat aktuale nuk do të japë më shumë detaje.
Partia Demokratike e Kosovës gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Kurti, ndërsa AAK e ka refuzuar të njëjtën.









