Britania e Madhe i ka sanksionuar disa banda kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë një nga Kosova. Ato dyshohen se kanë falsifikuar dokumente, të cilat pastaj janë përdorur për trafikimin e njerëzve.
Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar se, me ndihmën e institucionve të Kosovës, është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi” – i përshkruar si një bandë kriminale që selinë e ka në Kosovë. Ky grup kriminal thuhet se kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.
Autoritetet britaneze kanë deklaruar se kjo bandë kriminale është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve false dhe furnizimit me to për bandat kriminale.
“Grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në njoftim.
Personat e sanksionuar janë: “Burim Krasniqi, që përshkruhet si udhëheqës i rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqi, që thuhet se ishte ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre; Flamur Krasniqi, anëtar i grupit të cilit iu gjetën në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimit të shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, e cila ka ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim; Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; si dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara”.









