Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk do ta takojë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në objektin e Qeverisë, por në hapësirat e Kuvendit.

Kështu ka njoftuar Qeveria në detyrë e Kosovës, të cilët nuk kanë treguar se pse takimi do të ndodhë në Kuvend e jo në Qeveri.

Më 8 gusht, zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë kishte njoftuar Qeverinë e Kosovës se zyrtarët e Unionit dhe të shteteve anëtare, nuk do të mbajnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë, deri në formimin e një ekzekutivi të ri.

Ky vendim i BE-së, që mban nënshkrimin e ambasadorit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav, vjen pasi që Gjykata Supreme vendosi se Hekuran Murati, në kundërshtim me ligjin, mban dy pozita; atë të Ministrit të Financave dhe të deputetit.

”Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë”, thuhet në letrën e Unionit.