Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë, i ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se Kosova është gati të ecë përpara me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.

“Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Kosovë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian”, pohoi ajo.

Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces, e para vendit theksoi se mbetet thelbësore.

Presidentja e Komisionit Evropian është duke qëndruar të mërkurën në Kosovë në kuadër të turit në Ballkanin Perëndimor. Ajo do të takohet edhe me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Para Kosovës, von der Leyen e ka vizituar Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë, ndërsa vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor do ta mbyllë në Shkup të Maqedonisë së Veriut.