Teksa liderët e NATO-s përgatiten për samitin e javës së ardhshme në Turqi, planet për mbajtjen e samitit të aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimit të administratës Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare të NATO-s me shpenzimet e ulëta të mbrojtjes nga Tirana.
Kështu kanë bërë të ditur për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me diskutimet.
Një projekt-deklaratë për samitin e javës së ardhshme në Ankara nuk e përmend aktualisht mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht se në deklaratën e mëparshme ishte parashikuar që ai të zhvillohej atje, thanë burimet.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur vendet evropiane të NATO-s po përpiqen t’i tregojnë presidentit amerikan, Donald Trump, në Ankara se kanë bërë përparim në përmbushjen e zotimeve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të shmangin përplasjet e hapura me të.
Paqartësia rreth fatit të samitit në Shqipëri vjen gjithashtu pasi Reuters raportoi në prill se NATO po shqyrton mundësinë e heqjes dorë nga praktika e mbajtjes së samiteve çdo vit, një lëvizje që mund të shmangte një përballje të tensionuar me Trump më vonë gjatë mandatit të tij.
Njëri prej personave të njohur me diskutimet tha se niveli i shpenzimeve të mbrojtjes nga Shqipëria është aq i ulët, sa nëse NATO mban një samit në vend në vitin 2027, Trump mund të reagojë negativisht, duke shkaktuar tituj të padëshiruar në media.
Një diplomat evropian tha se versioni më i fundit i draftit thotë vetëm se liderët “presin me padurim takimin e tyre të ardhshëm”, pa përcaktuar kohën apo vendin.
“Draftet janë vetëm drafte, jo vendime”, tha një zëdhënës i Qeverisë së Shqipërisë për Reuters, kur u pyet për mungesën e Shqipërisë në projekt-deklaratë, e cila ende është në negociata dhe mund të ndryshojë.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë, ndërsa një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte koment të menjëhershëm.
Në qendër të vëmendjes: shpenzimet për mbrojtje
Vitet e fundit, deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s zakonisht kanë përmendur qartë vendin ku do të mbahet samiti pasues.
Në samitin e mbajtur vitin e kaluar në Hagë, liderët deklaruan se “presin me padurim takimin e ardhshëm në Turqi në vitin 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri”.
Në të njëjtin samit, liderët e NATO-s iu përgjigjën kërkesave të Trump duke u zotuar se brenda dhjetë viteve do të shpenzojnë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen dhe masat e lidhura me të.
Shtetet ranë dakord që 3.5 për qind e PBB-së të shkojë për mbrojtjen bazë, si trupat dhe armatimi, ndërsa 1.5 për qind për masa të tjera të lidhura me mbrojtjen, si siguria kibernetike.
Megjithatë, ndonëse shumë vende të NATO-s kanë rritur buxhetet e mbrojtjes muajt e fundit, disa ende kanë pasur vështirësi të arrijnë objektivin e mëparshëm prej 2 për qind të PBB-së.
“Kur shikoni objektivin prej 2 për qind, pothuajse të gjithë aleatët e kanë arritur”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për media më herët këtë muaj.
“Vitin e kaluar Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin arritur, por janë zotuar qartë se do ta kalojnë nivelin 2 për qind këtë vit. Kur e shihni panoramën e përgjithshme, bëhet fjalë për një numër shumë të vogël vendesh”, shtoi ai.
Shqipëria premton rritje të shpenzimeve
Qeveria shqiptare tha në një deklaratë për Reuters se po “finalizon masat e nevojshme fiskale për ta harmonizuar buxhetin e mbrojtjes dhe të shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen për vitin 2026 me trajektoren e dakorduar nga aleatët e NATO-s në Samitin e Hagës”.
“Pasi këto masa të miratohen në ditët në vijim, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe sektorët e lidhur me të për vitin 2026 do të arrijnë në 2.6 për qind të PBB-së, në përputhje me metodologjinë e NATO-s. Nga kjo, 2.2 për qind do të jetë për mbrojtjen bazë, ndërsa 0.4 për qind për shpenzime të tjera të lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë”, thuhet në deklaratë.
Një diplomat evropian tha se Shqipëria mund ta presë ende samitin.
“Ata po i rrisin shpenzimet, do të shohim ku do të përfundojë kjo. Unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri”, tha ai.









