Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë këtë të premte për të tentuar të akordojë edhe një samit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, për të cilin këshilltarët e Orban pretendojnë se mund të ndihmojë në përfundimin e plotë të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Orban, që ka propozuar që samiti të mbahet në Budapest, do të kërkojë po ashtu edhe një largim të sanksioneve amerikane kundrejt energjisë ruse, gjë që do të testojë linjën e fortë të Trump pas akuzave se Kremlini po ngadakëson procesin e negociatave për kryerjen e konfliktit.

E megjithatë, prioriteti kryesor i Orban është që ta bindë Trump ta vizitojë Hungarinë, ndërsa ai po përballet me një sfidë të paparë nga një lider i ri opozitar para zgjedhjeve parlamentare të prillit. Një vizitë e Trump do ta përforconte rolin e Orbanit si burrështetas e do ta motivonte bazën e tij konzervative.

“Orban dëshiron që Trump të vijë në Budapest para zgjedhjeve”, ka thënë një burim që punon në institucionet e politikës së jashtme hungareze. “Ky është prioriteti kryesor. Ata do të diskutojnë gazin rus, por gjëja që i intereson më së shumti Orbanit janë zgjedhjet”.

Zsuzsanna Vegh, një analiste politike dhe zyrtare në Fondin Gjerman Marshall, ka thënë se një vizitë e tillë do të ishte “një nder i madh politik” nga presidenti amerikan. Trump ka munguar në të gjitha evenimentet ndërkombëtare në Budapest, përfshirë edhe konferencat e CPAC.

Shpesh i referuar si kali i Trojës i Putinit në Evropë, Orban po kultivon lidhje me Trump qysh nga presidenca e parë e tij, ndërsa po ndërton edhe një rrjet ndërkombëtar të së djathtës ekstreme nga Amerika Latine në Evropë. Presidenti amerikan dhe rrethi i tij e kanë lavdëruar Orbanin, duke e përshkruar si një model që duhet ndjekur, një “Disneyland konzervativ”.

Gergely Gulyas, shefi i stafit të Orbanit, ka thënë në një konferencë shtypi se takimi i së premtes është një “mundësi që dy krerët e shteteve të përcaktojnë udhëzimet që mund të çojnë në një takim amerikano-rus dhe, përmes tij, në një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës”.