Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmërinë të japë dorëheqje nga kandidatura e tij për President, nëse arrihet konsensus mes partive për një figurë Të përbashkët jopartiake.
“Jap dorëheqje sepse po gjindet një i të gjithëve. E kush jam unë me mbyll rrugë”, tha Konjufca para mediave.
Konjufca shtoi se diskutimet e deritanishme për çështjen e Presidentit janë fokusuar tek propozimet e figurave që nuk bëjnë pjesë në instancat e larta partiake.
“Kryeministri e ka vendosë njëfarë kornize, dmth që të mos jetë drejtpërdrejtë a din i partive politike ky President nëse vendoset konsensual, pra të mos jetë drejtpërdrejt prej Kryesive për shembull të partive, të mos jetë nënkryetar i tyre apo kështu shumë i afërt që vjen prej rangjeve, strukturave të partive, të mos jetë i tillë”, tha kryediplomati kosovar.
Kosova që nga 5 prilli është me ushtrues detyre të Presidentit. Pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Vjosa Osmanit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, mori përkohësisht edhe postin e të parës së shtetit.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 28 prilli është datë e fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse dështon, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.









