Blerim Isufaj, i propozuari i KPK-së për Kryeprokuror të Shtetit në vitin 2022, ka ushtruar padi ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës për konkursin e ri për pozitën e Kryeprokurorit.
Sipas padisë që e ka siguruar Betimi për Drejtësi, Isufaj ka kontestuar vendimin e Këshillit për hapjen e konkursit, pa u shfuqizuar paraprakisht propozimi i vet.
Në padi po ashtu thuhet se vendimi i Këshillit për hapjen e konkursit të ri, i nxjerrë pa shfuqizim formal të propozimit paraprak, e prek drejtpërdrejt sferën juridike të paditësit, sepse anashkalon procedurën në të cilën ai aktualisht është subjekt aktiv, pa i dhënë mundësi as ta kontestojë formalisht paligjshmërinë procedurale të kalimit në një konkurs të ri.
Ndërkohë, të martën pikërisht Këshilli Prokurorial i Kosovës doli me një komunikatë ku krejt çuditshëm tha se vendimi për konkursin e ri nuk e shfuqizon konkursin paraprak.
Krejt kjo erdhi pasi që Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, publikisht kishte kërkuar proces të ri për shpalljen e Kryeprokurorit të Shtetit, pasi sipas saj, ai parapraku ishte i “komprometuar”.
Kujtojmë që pushteti i Albin Kurtit nuk e ka dekretuar Kryeprokurorin që nga viti 2022, duke e kundërshtuar zellshëm emrin e Blerim Isufajt.
Madje edhe në një seancë të vitit 2023, Albin Kurti kishte thënë se askush nuk e do Isufajn.
“Pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë”, kishte deklaruar Kurti.
Kundërshtimin ndaj Blerim Isufajt e kanë shprehur gjithmonë hapur, por asnjëherë nuk është bërë e qartë se çfarë konkretisht kanë kundër tij.
Isufaj është ish-ushtar i UÇK-së dhe, që nga viti 2010, ka shërbyer si prokuror i Krimeve të Rënda. Në vitin 2013 kaloi në Prokurorinë Speciale, ku qëndroi deri në vitin 2016. Më pas, deri në vitin 2019, ishte kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, për t’u rikthyer sërish si prokuror special.









