Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se Kryeministri Albin Kurti, po i shfrytëzon gjilanasit vetëm për vota, derisa thekson se i përjashtoi investimet në Gjilan dhe kuadrot nga ky qytet.
Këto komente, Haziri i bëri përmes një postimi në Facebook, duke përmendur faktin se Kurti e kishte propozuar aktorin Fatmir Spahiu për Ministër të Kulturës në Qeverinë që dështoi të zgjidhej në tetor të 2025-së, ndërsa e la jashtë kabinetit që u votua në shkurt.
Po ashtu, përmendi edhe Feride Rushitin, të cilën e propozoi për Presidente, por që dështoi që të zgjidhej në pozitën e të parës së shtetit.
“Në gjashtë vitet e fundit, Gjilani është përjashtuar me lehtësi të padurueshme nga projektet zhvillimore nga ana e qeverisë Kurti. Por, përse u desh që t’i përjashtojë edhe kuadrot?!”, shkroi Haziri në Facebook.
“Fatmir Spahiun, ikonën e kinematografisë kosovare, e nominoi për ministër para zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve e zgjodhi krejt dikë tjetër, pa asnjë sqarim, pa asnjë kërkimfalje. Njëjtë veproi edhe me Dr. Feride Rushitin. E nominoi për të mos u zgjedhur”, shtoi.
Kjo, sipas Hazirit, është dëshmia më e madhe “se si shfrytëzohen gjilanasit veç për vota e pa projekte zhvillimore, dhe se si shfrytëzohen emrat e autoritetet për tejkalim krizash”.









