Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke thënë se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti nuk garantojnë që një tregti e tillë do të ndalet edhe në praktikë.
E ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Ymeri ka shpjeguar se kompanitë me origjinë serbe mund ta vazhdojnë tregtimin e energjisë përmes regjistrimit në shtete të tjera, duke anashkaluar kështu vendimin e Qeverisë.
“Unë muj sot me shku me hapë një kompani në Tiranë, me ia lanë emrin ‘KOSOVA ZEMRA IME’, për nacionalizëm, e me ble rrymë prej Vuk Hamoviqit”, ka deklaruar Ymeri.
Sipas saj, në këtë mënyrë Kosova mund të mos blejë drejtpërdrejt nga një kompani serbe, por energjia mund të vijë nga i njëjti burim, përmes një kompanie ndërmjetësuese të regjistruar në një shtet tjetër.
Ymeri ka thënë se Qeveria duhet të sigurojë kontrata konkrete me kompani nga shtetet aleate, në mënyrë që Kosova të mos varet nga ndërmjetësuesit dhe të blejë energji me çmime më të favorshme.









