Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka rikujtuar kundërshtimet e dikurshme të Vetëvendosjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, e më pas edhe refuzimin e gazsjellësit amerikan. Këto veprime, siç ka thënë Haradinaj, i kanë sjellë Kosovës një situatë ku “paguhen qindra miliona euro për Serbinë për energji, përmes sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit Kurti.
“Sot, milionat e Kosovës nuk do të shkonin në Serbi, sikur Qeveria Kurti të mos e kishte anuluar ndërtimin e Termocentralit të ri. Sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup–Prishtinë, një projekt me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë”, ka shkruar ai.
Siç theksoi Haradinaj përmes një postimi në Facebook, Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as dimrit.
VOX Kosova ka raportuar për kompaninë “ETMT Energy” me pronar Marin Gjonaj, një oligark nga Shqipëria i përfshirë në disa skandale atje e me lidhje të forta me pushtetin në Kosovë.
Sipas dokumenteve ekskluzive të siguruara nga VOX Kosova, kjo kompani qarkulloi 24 milionë euro vetëm për dy muaj të 2026-ës.
Pronari i saj, ka lidhje biznesore me deputetin e Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti, e madje është parë në takime edhe me zv/ministrin për Ekonomi, sektorin përgjegjës për energji në Kosovë, Getoar Mjekun.









