Vendimi se a do të jetë pjesë e zgjedhjeve të reja kurdo që mbahen ato, apo për rikthimin e mundshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ish-Presidente e Kosovës, ka thënë se do ta marrë bashkë me qytetarët, disa ditë pas përfundimit të mandatit të saj në krye të shtetit.

“Unë nuk e di kur do të mbahen zgjedhjet, por megjithatë vendimin tim jam duke e marrë bashkë me qytetarët. Pyetja ime për ta kudo që shkoj është në qoftë se kërkoni angazhimin tim në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen ato apo jo? A e dëshironi Vjosa Osmanin të vazhdojë bashkë me ju në këtë rrugëtim apo jo?”, tha Osmani në një intervistë për T7.

Osmani theksoi se “ekziston një entuziazëm i jashtëzakonshëm, një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv i punës së bërë, por megjithatë vendimin final do ta marrë pas shumë e shumë diskutimesh me qytetarët”.

“Është zëri i tyre që ka rëndësi dhe siç e thashë ky është kriteri i vetëm që do ta marr për bazë”, shtoi.

E pyetur për rikthimin e mundshëm në LDK, ish-presidentja theksoi se edhe këtu “vullneti i qytetarëve do ta përcaktojë rrugën time”.

“Unë për momentin nuk mund të flas për mekanizmat e bashkëpunimit me partitë politike për shkak se sapo kam përfunduar mandatin tim. Ajo që dua ta sqaroj është se do t’i dëgjojë qytetarët, do ta dëgjoj zërin e tyre. Do ta shoh se ku e kërkojnë angazhimin tim”, potencoi ajo ndër të tjera.

Rikthimi në politikën aktive i Osmanit po vjen pasi që nuk u rikandidua edhe për një mandat si Presidente nga Lëvizja Vetëvendosje.