95 ish-punonjës të Telekomit të Kosovës kanë përfituar nga skema e pagave për 24 muaj pas largimit nga puna. Sipas dokumentit të publikuar nga Insajderi, në mesin e tyre është edhe vëllai i Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, Kastrioti. Gjithashtu, në listë bën pjesë edhe  Burim Hana, vëllai i Kryeshefes ekzekutive të Telekomit, Burbuqe Hana.

DOKUMENT

Kastriot Haxhiu, kishte punuar si teknik në Rrjetin e Qasjes, në kuadër të Drejtorisë Teknike dhe Teknologjisë Informative. Edhe për të është miratuar përfitimi i pagave për 24 muajt pas largimit nga puna, pa pasur nevojë të paraqitet më në vendin e punës.

Ndërkaq, Burim Hana kishte mbajtur pozitën e menaxherit për Analizë, Strategji të Marketingut dhe Planifikim, me gradë 13 dhe pagë mujore prej 1 mijë e 820 eurosh bruto. Kjo shumë është e barabartë me pagën e tij për dy vitet e ardhshme, ndonëse ai nuk do të jetë më pjesë e stafit të Telekomit.

Në njoftimin e 1 tetorit 2026, përmes të cilit Telekomi kishte ftuar punonjësit të aplikonin për pakot e largimit vullnetar, ishte bërë e ditur se secila kërkesë do të shqyrtohej dhe vlerësohej individualisht, duke marrë parasysh nevojat organizative dhe operative të ndërmarrjes.

Komisioni, sipas raportimit nga Insajderi, ishte formuar nga Kryshefja Burbuqe Hana dhe në përbërje të tij ishin Feim Kelmenti, Avni Tafilaj, Leonora Sylaj dhe Halil Krasniqi – të emëruar gjatë periudhës sa në pushtet është Vetëvendosje.