Kryetari në largim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nënshkruar peticionin kombëtar në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, të premten.
“Sot nënshkrova peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë”, shkroi ai.
Ish-Kryeministri i Kosovës theksoi se beson se edhe kësaj radhe drejtësia ndërkombëtare “do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës sonë të drejtë çlirimtare”. “Rroftë UÇK-ja!”, përfundoi Haradinaj.
Më 25 shkurt, kategoritë e dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisën një peticion kombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Ky peticion do t’i drejtohet Gjykatës Speciale.
Ata kishin ftuar të gjithë qytetarët dhe bashkëkombësit kudo që ndodhen që t’i bashkohen këtij peticioni.









