Zëri që dëgjohet është i Egzon Zhegrovës, sekretarit të Vetëvendosjes në Obiliq, njëherësh një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të deputetit të kësaj partie, Halil Thaçit, që tash garon në balotazh për këtë komunë.
Aty, në bisedë me një person tjetër, Zhegrova tregon gatishmërinë e Halil Thaçit për të intervenuar në një proces të skajshëm nepotizmi, ku bëhet fjalë për 500 persona.
Ja dëgjojeni:
“Qitu me i përgatitë i kem edhe 500, nuk kuptohet… 500 veta qitash, ngat 500 ve. Kena me i ba do ndrrime, qitash ktyne tjerëve të ri i dhanë zor, jo bina knenaj, jo bina knenaj. Tani tha Halili veti tanë o burrë, bile kur të intervenoj me intervenu për tanë tha m’i qitë knej. Qishtu, qysh…”
Sipas sinjalizuesit që këtë audio e ka dërguar në adresë të VOX Kosovës, bëhet fjalë për ndërhyrje në Korporatën Energjetike të Kosovës, pra ndërrime të vendeve të punës të militantëve të pushtetit e premtime për lirim të 500 vendeve të reja.
Por këto mbetet t’i hetojë e vërtetojë Prokuroria.
Egzon Zhegrova, VOX Kosovës i tha se s’po e di për çka e ka pasë fjalën në bisedë, por e mohon që të ketë ndërhyrë ndonjëherë në punësime në Korporatën Energjetike të Kosovës.
“Vallahi unë sen s’po kuptoj qaty. Jo jo, ngom, nuk jom menaxhment. Ngom, veç pak. Nuk jam menaxhment i KEK-ut unë. A po din? Ato sene, ato ndërrimin e vendeve të punës i bën menaxhmenti, nuk jam unë. Po më vjen shumë keq, a po din, po sss… nuk kuptohet… në qoftë se më ka kërku dikush ndihmë, unë kam mujt për shembull diçka… po jo… si me thanë, diçka me manipulime s’ka aty, manipulime, se vendet e punës menaxhmenti i ndërron, s’i ndërroj unë”, thotë Zhegrova.
Barrën nga vetja e heq edhe vetë Halil Thaçi. Ndonëse përmendet nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, ai thotë se “s’merr përgjegjësi se çka flasin njerëzit mes vete”.
Siç kupton VOX Kosova, këto biseda lidhen me skandalin e diplomave të falsifikuara për punësimet në KEK, ku janë të përfshirë Halil Thaçi dhe Egzon Zhegrova.
Thaçi e Zhegrova konkretisht dyshohen se dërguan njerëz të falsifikojnë diplomat, që më pas t’ua mundësojnë punësimin në këtë ndërmarrje publike.
VOX Kosova ka biseduar me dy prej tyre, Reshat Mjekiqin e Cen Krasniqin. Ata e konfirmuan se dhanë para për t’i falsifikuar diplomat, sepse iu premtua që do të fitojnë një vend pune në KEK.
Por, kështu nuk ndodhi. Lëre që Prokuroria e mori vesh për këtë punë dhe nisi hetimet, por ata as nuk u punësuan ashtu siç iu premtua, sepse duket se gjithçka ishte një skemë e madhe mashtrimi për të siguruar vota në prag zgjedhjesh.
Ja bisedat me ta:
Reshat Mjekiqi:
Po, e vërtetë është që unë jam mashtru për diplomë. Jam mashtru prej kandidatit tash që është Halil Thaçi i Vetëvendosjes, Berat Gashi dhe Egzon Zhegrova, prej këtyne treve.
Pyetje: E çka ka ndodh realisht?
Ka ndodh që mu më kanë thanë që e bajmë një diplomë me korrespodencë, po ish një me të shpejtën që po thojshin prej shtatorit në qershor. Me të shpejtën. Edhe unë kam thanë që e bëj, se kam pasë nevojë, se unë jam ngat KEK-ut me punë. Edhe kur më kanë thirrë, brenda 5-6 dite tu ka ba diploma, 650 euro mi kanë lypë, edhe u dashtë me hi borxh për ato pare, me shku me e marrë, edhe më kanë thanë që e ki të sigurtë se është shumë origjinal. Unë e kam edhe të noterizume te noteri diplomën. Edhe i kam vazhdu unë ato procedurat e mia, kur e kam pa emrin që më ka dalë në gazetë. Se unë jam… jam kryefamiljar, jam tmerru.
Pyetje: E pse ju kanë thanë këta që kanë me ju punësu në KEK — cila është lidhja juaj me ta?
Lidhja jeme kurrgjë s’është me ta, hiç sen. Nuk e kam bash kurrgjë. Veç na kanë thirrë këta, bajagi… po këta e kanë pasë për shkëmbim të votave, për kurrgjë tjetër.
A keni dhanë deklaratë në organet e drejtësisë?
Po. Kam dhanë deklaratë. Kena jep, qysh thirret te Mahalla e Muhaxherëve ajo…
Cen Krasniqi:
Vallahi qishtu na kanë thanë që kem me… na të çojna me provime, ta kryjmë qit drejtim, qit drejtim, ki me u punësu në KEK. Edhe në fund tha, jo, qe diploma, veç anaj paret se ta kryjtëm, edhe qikjo procedurë u kanë. Shumë e shpejtë.
Kush ju ka premtu?
Egzon Zhegrova.
Pyetje: E Halil Thaçi a ka qenë i përfshimë?
Po.
D.m.th. ata ju kanë…
Ajo u kanë… Halili, Halil Thaçi u kanë i orientumë: shko te filani se të krynë punë. A je tu kuptu? Kurrgjë ma shumë, nuk muj m’i ngjitë fjalë kërkujna, a po kupton? Veç qysh u kanë realiteti po të kallzoj unë. Halil Thaçi nuk ka marrë përgjegjësi, veç ka thanë: shko te Egzoni se Egzoni krynë punë.
Pyetje: Ju i keni çu, d.m.th. i keni çu për falsifikim, keni pagu pare. Sa i keni pagu ju?
1000 euro.
Pyetje: I keni falsifiku diplomat, pastaj nuk ju kanë marrë në vendin e punës?
Jo.
Prokuroria e Prishtinës tha se këtë çështje s’e ka në kompetencë, e ajo Speciale nuk dha përgjigje, ndonëse VOX Kosova jozyrtarisht merr vesh se kjo skemë po hetohet nga organi i akuzës.
Paramendojeni, një kandidat për kryetar komune mashtron qytetarët, i detyron ata të bëjnë diploma fals, t’i paguajnë ato diploma e më pas i lë të mashtruar në rrugë.
Reshat Mjekiqi, një nga të mashtruarit në këtë skemë, ka konfirmuar se tashmë ai është intervistuar nga organet.
Nëse Prokuroria konfirmon dyshimet, ky rast do të përbënte një mekanizëm mashtrimi që nuk është dëgjuar më parë, veçanërisht kur përfshihet një figurë që aktualisht është deputet e po kërkon të udhëheqë një komunë.








