Ish-kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Fushë Kosovës, Enver Bajçinca, është rehatuar në një pozitë të rëndësishme në Ndërmarrjen Hidroekonomike, “Ibër – Lepenc”, ku kryeshef ekzekutiv është Faruk Mujka, një tjetër zyrtar i partisë në pushtet. VOX Kosova ka gjetur se Bajçinca që nga tetori i vitit 2024, është caktuar në pozitën e Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit aty.

DOKUMENT:

Krahas kësaj, Bajçinca gjithashtu është shef departamenti në Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Në deklarimin e fundit të pasurisë ai ka regjistruar 4 mijë e 900 euro pagë vjetore në “Ibër – Lepenc” e 8 mijë e 723 euro të tjera në ARKEP. Përveç tjerash, Bajçinca ka të ardhura edhe nga Kolegji Privat “AAB”, ku figuron si asistent.

DOKUMENT:

I njëjti, siç vërehet edhe nga fotografitë që janë publike, ka një afërsi me kryetarin e ri të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili në kohën kur Bajçinca fitoi vendin e punës, mbante pozitën e shefit në Njësinë për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike.

Bajçinca, në përgjigje për VOX Kosova, ka mohuar se emërimi i tij ka të bëjë me motive partiake.

Thotë, se gjithçka shkoi përmes konkursit.

“Po, unë jam punësuar në tetor të 2024, në bazë të konkursit publik në pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar. Unë kam aplikuar duke pasur parasysh se ka të bëj me fushën time profesionale. Bordi i ndërmarrjes ka vlerësuar se i kam përmbushur kriteret dhe  ka rezultuar të jem më i poentuari”, tha Bajçinca.

Javën e kaluar, VOX Kosova ka publikuar aferën “Whatsapp – Gate”, ku ekskluzivisht ka siguruar nga dosja e Prokurorisë komunikimet e Faruk Mujkës me Artane Rizvanollin, Albulena Haxhiun, Dejona Mihailin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës. Komunikime këto të realizuara nga dy telefonë të Mujkës, që iu konfiskuan në momentin e arrestimit të tij më 14 korrik 2023, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kur Mujkës iu ekzaminuan telefonat nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, Sektori për Fotografi, Video-analizë dhe Ekzaminime të IT-së, u gjet se Mujka kishte komunikime të rregullta me ministra të Vetëvendosjes e me Dejonan Mihailin.

Komunikimet janë realizuar kryesisht në platformën WhatsApp. Nga mesazhet që zbuloi VOX Kosova, zbulohet skema e emërimeve krejtësisht politike dhe në mënyrë të kundërligjshme jo vetëm e Mujkës në Ibër Lepenc, por edhe e militantëve të tjerë nëpër institucione.

Kjo është hera e parë që dëshmohet me fakte nga prokuroria se si ministrat ushtrojnë ndikimin e tyre për kryerjen e favoreve duke abuzuar me pushtetin. I informuar, siç tregojnë mesazhet, ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Në komunikimet e Faruk Mujkës me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Dejona Mihailin e Vetëvendosjes, kuptohet qartësisht, se qysh nga fillimi konkursi për kryeshef të Ibër Lepencit ishte veç një formalitet.

Personi tashmë ishte caktuar dhe do të përzgjedhej politikisht, ilegalisht, nëpërmjet abuzimit të skajshëm me pushtetin.